Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës – KEK Sh.A., Gramos Hashani, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka realizuar një vizitë zyrtare në Komunën e Fushë Kosovës, ku është pritur nga Kryetari i Komunës, Valon Prebreza, dhe kabineti i tij.
Gjatë takimit, Hashani e ka njoftuar kryetarin Prebreza për projektet prioritare të KEK-ut, duke theksuar rëndësinë e tyre për sektorin energjetik dhe mjedisin.
“Projektet tona strategjike përfshijnë modernizimin e njësive prodhuese, projektin e elektrofiltrave për reduktimin e ndotjes dhe përmirësimin e cilësisë së mjedisit, si dhe projektin solar me kapacitet mbi 100 MW”, ka deklaruar Hashani.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se KEK Sh.A., në kuadër të përgjegjësisë sociale të korporatës, planifikon rritjen e buxhetit për projekte komunitare nga viti i ardhshëm.
“Synojmë që të zgjerojmë ndjeshëm përfshirjen e banorëve të Fushë Kosovës me rrethinë në identifikimin dhe zbatimin e projekteve komunitare, si ndërtimi i fushave sportive, parqeve multifunksionale dhe iniciativa të tjera në interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve”, ka theksuar ai.
Nga ana e tij, kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka shprehur gatishmërinë e plotë për mbështetje institucionale.
“Unë dhe drejtoritë komunale jemi të gatshëm të adresojmë dhe përkrahim të gjitha procedurat administrative të nevojshme për realizimin e projekteve të KEK-ut”, ka deklaruar Prebreza, duke falënderuar njëkohësisht KEK Sh.A. për përfshirjen e komunës në projektet komunitare.
Ai ka theksuar edhe nevojën për bashkëpunim të zgjeruar në fusha të tjera që ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve.
“Përkrahja me makineri, resurse teknike dhe investime në infrastrukturë rrugore do të ishte me rëndësi të veçantë për komunën tonë”, ka shtuar Prebreza.
Të dyja palët kanë konfirmuar vullnetin për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe janë pajtuar që të iniciohet hartimi i një Memorandumi Mirëkuptimi, i cili do të formalizojë fushat e bashkëpunimit dhe mekanizmat e koordinimit.