KEK dhe Komuna e Obiliqit drejt thellimit të bashkëpunimit institucional

Prishtinë | 15 Dhj 2025 | 18:34 | Nga Ekonomia Online

Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës – KEK Sh.A., Gramos Hashani, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka vizituar Komunën e Obiliqit, ku është pritur nga Kryetari i Komunës, Halit Thaçi, dhe stafi komunal.

Gjatë takimit, Hashani e ka njoftuar kryetarin Thaçi për projektet kryesore strategjike të KEK Sh.A., duke përfshirë modernizimin e njësive prodhuese, projektin e elektrofiltrave që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e mjedisit, si dhe projektin solar me kapacitet mbi 100 MW.

“Për realizimin e suksesshëm të këtyre projekteve strategjike, KEK Sh.A. ka nevojë për përkrahje institucionale nga Komuna e Obiliqit”, ka theksuar Hashani.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se KEK Sh.A., në kuadër të përgjegjësive sociale të korporatës, ndodhet në fazën përfundimtare të procedurave administrative për projekte të dedikuara për komunitetin dhe banorët e Komunës së Obiliqit.

“Do të angazhohemi që buxheti për projekte sociale të rritet edhe më tej, në funksion të mirëqenies së qytetarëve”, ka deklaruar Hashani.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Obiliqit, Halit Thaçi, ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të zyrtarëve komunalë për të përkrahur të gjitha procedurat administrative të nevojshme për zbatimin e projekteve të KEK-ut.

“Komuna e Obiliqit është e gatshme të mbështesë projektet e KEK Sh.A., ndërkohë që presim edhe përkrahjen e korporatës për komunën, veçanërisht në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve përmes projekteve konkrete dhe aksioneve mbështetëse me makineri dhe resurse të tjera”, ka thënë Thaçi.

Në kuadër të takimit, të dyja palët kanë konfirmuar gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit institucional, duke u dakorduar për formimin e ekipeve të përbashkëta teknike që do të merren me identifikimin dhe adresimin e çështjeve me interes të ndërsjellë, përfshirë aspektet teknike, mjedisore dhe administrative.

KEK Sh.A. ka njoftuar gjithashtu se, pas përfundimit të punës së ekipeve teknike, do të iniciohet procesi i hartimit të një Memorandumi Mirëkuptimi me Komunën e Obiliqit, i cili do të formalizojë fushat e bashkëpunimit dhe mekanizmat e koordinimit institucional.

Të ngjashme