Ylli i hitit “Since U Been Gone”, Kelly Clarkson, e ka fituar kujdestarinë e fëmijëve të saj, River Rose dhe Remington Alexander, të cilët i ka me ish-bashkëshortin Brandon Blackstock. Kështu ka vendosur gjykatësi i caktuar në rastin e tyre të shkurorëzimi, raporton revista “People”.
Fëmijët e moshës gjashtë dhe katër vjeçare do të jetojnë me nënën e tyre në Los Angeles, derisa Blackstock do të udhëtojë nga shtëpia e tij në Montana, për t’i vizituar fëmijët në shtëpinë e Clarksonit.
Pavarësisht kësaj, duket se procesi i shkurorëzimit nuk po shkon pa vështirësi dhe probleme. Ish-burri i këngëtares së famshme po i kërkon alimentacion prej afërsisht gjysmë milioni dollarë në muaj, transmeton Koha.
Një burim i afërt këngëtares ka bërë të ditur për revistën “People” se Brandon po tregohet i paarsyeshëm në kërkesat e tij, duke thënë se i nevojiten 301 mijë dollar në muaj për shpenzimet personale, dhe 135 mijë të tjera për fëmijët e çiftit.
Në anën tjetër, Clarkson e cila përveç një karriere të suksesshme në muzikë, po ashtu shërben si anëtare e rregullt e shout “The Voice” dhe si prezantuese e emisionit të saj televiziv “Kelly Clarkson Show”, nuk dëshiron të flas hapur për shkurorëzimin e saj, sepse nuk dëshiron t’i përfshijë fëmijët e çiftit në diskutimet publike.
Në të kaluarën, Kelly e kishte pranuar se shkurorëzimi ishte një vendim mjaft i vështirë për të, dhe një proces i pakëndshëm.
“Në familjen time i kam përjetuar dy shkurorëzime, njësoj edhe ish-bashkëshorti im në familjen e tij kur ishte ende fëmijë. Në atë kohë nuk kemi pasur rrjete sociale kur kjo gjë ka ndodhur. Dhe duke qenë se në këtë proces janë të përfshirë edhe fëmijët tanë, që i takojnë moshës prej 4 deri në 19 vjeçare, e bënë atë edhe më të vështirë. Prandaj unë mundohem të jem sa më e sinqertë me fëmijët e mi, por njëkohësisht e kujdesshme për fjalët dhe veprimet e mia. Gjëra të tilla ndodhin në jetë, dhe kjo nuk do të thotë se burri apo gruaja e kanë gabim. Për këtë arsye nuk kemi çka të fshehim nga fëmijët sa i përket ndarjes sonë. Thjeshtë, procesi i shkurorëzimit është i vështirë dhe i pakëndshëm”.
Kelly Clarkson dhe Brandon Blackstock i kanë dy fëmijë së bashku, derisa këngëtarja po ashtu i ka rritur dy fëmijët e tij tinejxherë, Savannah dhe Seth, nga martesa e kaluar.