Kelmendi: E dhimbshme që prokurorët e Mitrovicës punojnë në kushte jashtëzakonisht të këqija

Prishtinë | 27 Maj 2025 | 13:04 | Nga Ekonomia Online

Në mbledhjen e Këshillit Prokurorial i Kosovës (KPK), me rastin e paraqitjes së Raportit vjetor, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi përmendi vështirësitë që ka me kushtet e punës Prokuroria e Mitrovicës, raporton Ekonomia Online.

“Është e dhimbshme që prokurorët e Mitrovicës punojnë në kushte jashtëzakonisht të këqija dhe jonormale për prokurorin e shtetit”, tha Kelmendi.

Gjithashtu, Kelmendi theksoi se miratohen ligje që kanë pasoja buxhetore dhe se për to nuk parashihen mjetet buxhetore, duke përmendur këtu Ligjin për ndërmjetësim ku edhe pse janë paraparë zyrtarë për referentë, nuk është ndarë buxhet për këto pozita.

Kelmendi tha se si prokurori kanë pasur sukses në rastet e dhunës në familje, por se sfiduese del të jetë numri i lartë i sekuestrimeve mbi 48 milionë- por jo edhe i konfiskimeve në vetën mbi 2 milionë euro.
Si problem, Kelmendi, vazhdimisht gjatë prezantimit të raportit e përmendi edhe numrin e vogël të prokurorëve në krahasim me atë të gjyqtarëve dhe se nuk po mund të marrin pjesë në seanca gjyqësore përmes përfaqësimit.

Ai si sistem prokurorial gabim e kanë bërë që e kanë konsideruar të përfunduar rastin me ngritje të aktakuzës, por se ka qenë qasje e gabuar sepse përfundim i rastit është kur rasti përfundohet me vendim të plotfuqishëm.

Të ngjashme