Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, priti sot në takim kryesuesin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj.
Në këtë takim u diskutua për punën dhe përkushtimin e institucioneve të Kosovës në zbardhjen e fatit dhe gjetjen e vendndodhjes edhe të 1660 personave të zhdukur, si pasojë e luftës së viteve 1998 –’99 në Kosovë, e në mënyrë të veçantë mbi format dhe mundësitë e bashkëpunimit me institucionet e Serbisë, meqë ky bashkëpunim po mungon nga ana e Beogradit zyrtar.
Gjatë takimit, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Gjetaj prezantoi angazhimin e Komisionit, të arriturat dhe sfidat me të cilat ballafaqohen institucionet kompetente, në përpjekjen për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes të të gjithë personave të zhdukur.
Zëvendëskryeministri Kelmendi shprehu përkushtimin dhe gatishmërinë për përkrahje të mëtejmë të këtij procesi.
“Është kohë e gjatë për familjarët, sepse shpresa e familjarëve nuk zhduket përderisa nuk i gjejnë personat e tyre më të dashur. Nuk është e lehtë të kalojnë kaq shumë vite dhe të mos dinë për familjarët e tyre”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.
Po ashtu, gjatë takimit u diskutua edhe mbi mundësitë e përkrahjes së iniciativave të familjeve dhe shoqatave familjare të personave të zhdukur, duke u prezantuar edhe rasti i angazhimit të “Grave të Krushës së Madhe”, ku siç u përmend nga zëvendëskryeministri Kelmendi, ai personalisht ka qenë në mbështetje të punës së tyre.