Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, vizitoi sot komunën e Pejës, ku u prit nga kryetari Gazmend Muhaxheri; vizitoi dy shkolla profesionale dhe biznese në këtë qytet.
Kelmendi tha se bashkë me kryetarin Muhaxheri kanë analizuar çështjet dhe kërkesat të cilat i ka Komuna e Pejës, por edhe mundësinë për investime në këtë komunë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës në vazhdimësi është në mbështetje të proceseve të zhvillimit të bujqësisë, zhvillimit ekonomik dhe turizmit, në veçanti për shkak se Peja është një ambient ku mund të zhvillohet turizmi”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.
Meqenëse Buxheti i Republikës së Kosovës sivjet është shumë më i lartë dhe 45 për qind janë më shumë për investime kapitale, zëvendëskryeministri Kelmendi ka vënë theksin tek fillimi i investimeve lokale, në mënyrë që ky proces të ecë sa më shpejt dhe punimet e planifikuara të kryhen gjatë vitit kalendarik.
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se zëvendëskryeministrin Kelmendi e ka njoftuar për mundësitë e zhvillimit të mëtejshëm të komunës së Pejës, sidomos në sektorin e bujqësisë dhe turizmit.
“Kërkuam ndihmë nga zëvendëskryeministri që të angazhohet për zhvillim sa më të fuqishëm të këtyre dy sektorëve në Republikën e Kosovës, por me theks të veçantë në komunën e Pejës”, tha kryetari Muhaxheri.
Gjatë qëndrimit në Pejë, zëvendëskryeministri Kelmendi vizitoi edhe dy shkolla të kësaj Komune, Shkollën e Mesme Teknike, “Shaban Spahija” dhe Shkollën e Mesme të Lartë Ekonomike, “Ali Hadri”.
Duke inkurajuar të rinjtë që të mësojnë sa më shumë, zëvendëskryeministri Kelmendi, tha se shteti i Kosovës do të mbështetet në mësimet e tyre, në mënyrë që pas përfundimit të shkollimit ata të përzgjedhen në drejtimet e duhura, shumë të nevojshme për t’i avancuar proceset zhvillimore.
“Ky institucion është shumë i domosdoshëm për ekonominë e Kosovës, sepse shumë shpejt ekonomia e saj do të zhvillohet dhe do të arrijë shtetet tjera të regjionit, por edhe t’i tejkalojë. Jam i interesuar që niveli arsimor të ngritet dhe të arrijë në nivelin e duhur dhe me këtë rast, ftoj stafin edukativ-arsimor që të punojë jashtëzakonisht shumë, në mënyrë që këta të rinj t’i orientojmë në rrugën e duhur”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.
Më tej, zëvendëskryeministri tha se industria dhe ekonomia ka nevojë për profilet e këtyre drejtimeve.
“Profilet e tilla, pra nxënësit që mësojnë nga literatura që jepet në këto shkolla, gjithmonë gjejnë punësim dhe punësimet e tyre janë të qëndrueshme dhe të përhershme dhe kanë të hyra jashtëzakonisht më të mëdha, sesa profilet tjera. Ju inkurajoj që të arrini sa më shumë dhe të bëheni pjesë e shtetndërtimit dhe zhvillimit të Republikës së Kosovës”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.
Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Pejës, Besim Avdimetaj, tha se pasi që arsimi profesional është shpallur prioritet edhe nga Qeveria e Kosovës, nxënësit e kësaj shkolle e kanë gjetur veten në ekonominë e vogël dhe në punët tjera.
“Në këtë lloj shkollimi, që do të ofrohet nga shteti i Kosovës, në të ardhmen do jeni pjesë e zhvillimit të tij dhe pjesë e zhvillimit të shumë fushave dhe segmenteve në Evropë dhe më gjerë”, tha drejtori Avdimetaj, duke theksuar se arsimi profesional është bazë e mirë e zhvillimit të ekonomisë së shtetit.
Ndërsa, drejtorët e të dy shkollave u shprehën të kënaqur me vizitën e zëvendëskryeministrit Kelmendi, duke marrë parasysh se ai ka qenë mësimdhënës dhe e kupton rolin dhe rëndësinë që ka arsimimi i të rinjve.
Gjatë ditës, zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi i shoqëruar nga kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri, u takua edhe me përfaqësues të bizneseve nga Komuna e Pejës, të cilët i informoi për prioritetet e Qeverisë së Kosovës në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e ambientit të të bërit biznes.
Gjatë bashkëbisedimit zëvendëskryeministri Kelmendi i njoftoi përfaqësuesit e bizneseve se Qeveria është duke punuar për finalizimin e pakos së dytë fiskale, e cila do të krijojë lehtësira të ndryshme ekonomike.
Zëvendëskryeministri Kelmendi, ka inkurajuar përfaqësuesit e bizneseve që të jenë pjesë e Forumit Ekonomik që do të mbahet më 31 janar në Romë të Italisë, si mundësi e mirë për shkëmbimin e përvojave nga fusha ekonomike.
Përfaqësuesit e bizneseve të Komunës së Pejës shprehën kënaqësinë për prezencën e zëvendëskryeministrit Kelmendi para të cilit paraqitën kërkesat e tyre për nevojën e investimeve nga Qeveria e Kosovës në këtë rajon, si dhe për krijimin e lehtësirave për bizneset.