Kelmendi në Suharekë, interesohet për fuqizimin e bizneseve

Prishtinë | 18 Nën 2016 | 16:24 | Nga

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi vizitoi sot gjatë ditës komunën e Suharekës.

Ndalesën e parë zëvendëskryeministri Kelmendi e pat në komunën e Suharekës, ku u prit nga kryetari i kësaj komune, Sali Asllanaj.

Me këtë rast, zëvendëskryeministri Kelmendi bëri të ditur se kjo vizitë është në vazhdën e vizitave që po bënë në komuna, për të parë se si mundet Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, të ndihmojë zhvillimin ekonomik përmes fuqizimit të sektorit privat, konkretisht ndihmës në ekonomitë e vogla dhe të mesme.

“Biseduam për sfidat për problemet që kanë këta si komunë, dhe çfarë mundet Qeveria e Republikës së Kosovës të punoi në të ardhmen në mënyrë që të dinamizohet zhvillimi ekonomik dhe fuqizimi i bizneseve në këtë qytet”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.

Kryetari i komunës, Sali Asllanaj, ka falënderuar zëvendëskryeministrin Kelmendi për këtë iniciativë, duke thënë se pikërisht kjo i duhet bizneseve.

“Mendoj që është bërë një hap shumë i qëlluar që në Qeverinë e Kosovës sot është zëvendëskryeministër z. Kelmendi që ka sensin dhe ka njohuritë e duhura që pikërisht t’i jep shtytje zhvillimit të biznesit”, tha kryetari Asllanaj.

Zëvendëskryeministri Kelmendi, bashkë me kryetarin Asllanaj kanë vizituar bizneset e vendosura në Zonën Industriale të kësaj komune. Në kompaninë “Solid Shoes”, ata janë njoftuar me punën që bëhet këtu.

“Kjo vizitë është moti e pritur. Unë për vete jam gëzuar që një njeri nga komuniteti i biznesit ka ardhur në këtë pozitë dhe shpresa jonë është që do të kemi mirëkuptim dhe zhvillim të industrisë sonë edhe të rëndë edhe të lehtë”, tha pronari Shefqet Kuqi.

“Ftoj qytetarët tanë që të besojnë në këto prodhime. Janë prodhime nga duart e nënave, motrave dhe vajzave tona. Lëkura dhe puna janë jashtëzakonisht kualitative por njëkohësisht edhe si zëvendëskryeministër gjatë udhëtimeve të mia jashtë Kosove do të jem agjent i promovimit të bizneseve të fuqishme dhe atyre që po krijohen këtu” tha zëvendëskryeministri.

Më pas zëvendëskryeministri Kelmendi ka vizituar edhe fabrikën e pajisjeve mjekësore “Medico Plast”, fabrikën për prodhimin e llaqeve, fasadave dhe ngjyrave “Graniti”, kompaninë e mobileve “Graniti” si dhe kompaninë e pijeve energjike “Red Eagle”.

Kompanitë ishin të kënaqura që më në fund një njeri nga biznesi është në pozitë udhëheqëse.

Përmirësim të kushteve të punës për bizneset pret brenda mandatit edhe pronari i “Red Eagle”, Shaqir Palushi.

“Një pjesë të problemeve me të cilat ballafaqohet prodhuesi t’i zgjedhë gjatë këtij mandati, është heqja e taksës doganore për një pjesë të lëndës së parë dhe për një pjesë të makinerisë, zgjidhja e problemit kronik të energjisë elektrike”, tha Palushi.

Zëvendëskryeministri Kelmendi vlerësoi lartë punën që po bëhet nga kompanitë private dhe premtoj lehtësira të mëtejme fiskale.

“Jemi në dëgjim të kërkesave të arsyeshme që po e pengojnë prodhuesin kosovar që të jetë së paku i barabartë me bizneset e tregut regjional. Kërkesa e tyre për politika fiskale do të jetë bazë e punës tonë të ardhshme në mënyrë që ta nxjerrim pakon fiskale 2, që të realizojmë të gjitha kërkesat e këtyre bizneseve”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.

zvkm_02

zvkm_04

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme