Kryetari i Partisë Fjala, Gëzim Kelmendi, ka thënë se Mitrovica është duke u kolonizuar nga Serbia.
Sipas tij, ndërtimi i shtëpive nga Serbia në lagjen “Kroi i Vitakut” në pjesën veriore të Mitrovicës, është dëshmi e qartë e kolonizimit të Mitrovicës.
Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Kelmendi ka thënë se këtë plan Serbia po zhvillon qetë dhe pa kundërshtimin e institucioneve të Kosovës.
“Presidenti Thaçi po vazhdon të luajë me idetë e tij për ndarjen e Kosovës. Ndikimi i tij në institucionet e Kosovës është më i madh sesa kur ishte kryeministër”.
“Ish-kryeministrit Haradinaj i shkoi tërë mandati duke u marrë me Skënderbeun (550 mijë euro i ka shpenzuar në përvjetorin e Skënderbeut dhe shumë personaliteteve iu ka dhuruar librin e Skënderbeut duke injoruar kështu heronjtë e shumtë të popullit shqiptar). ‘Të mirën’ më të madhe që ia bëri Kosovës gjatë këtij mandati ish-kryeministri Haradinaj ishte shitja e tetë mijë hektarëve tokë”.
“Kryeparlamentari po merret me ‘fasada dhe kozmetika’ përballë të korruptuarve brenda partisë së tij. Po promovon dekadën e re, por korrupsionin e ka shumë të vjetër dhe me përvojë brenda partisë së tij. Vazhdimisht e thumbonte ish-kryeministrin Haradinaj, por asnjëherë nuk pati guxim ta rrëzoj nga pushteti”.