Zëvendëskryeministri në detyrë, njëherësh kandidati i LDK-së për deputet, Ramiz Kelmendi, ka thënë se nuk e sheh të ardhmen e Kosovës me Albin Kurtin si udhëheqës të saj.
Megjithatë, pavarësisht mendimit për Kurtin, Kelmendi nuk e ka mohuar koalicionin me Vetëvendosjen.
“Nuk shoh të ardhme të Kosovës me zotëri Kurtin në krye. Zoti Kurti e udhëheq një grup të qytetarëve të rinj dhe qytetarëve të ndryshëm dhe normalisht e ka një elektorat të ndryshëm. Për të cilën unë nuk pajtohem me çështjen ekonomike”, tha Kelmendi në RTV Dukagjini.
Ndërsa, sa i përket çështjes së zhvillimit ekonomik, zëvendëskryeministri në detyrë tha se fokusi kryesor duhet të drejtohet kah rinia e vendit.
“Për gjeneratat e reja është mirë që të iu krijohet një ambient, që ata idetë e tyre që i kanë t’i realizojnë sa më shpejt… Për këtë rast është krijuar edhe një fond për garantimin e kredive për të ri e të rejat… 30 e disa milionë është ky fond dhe parashihet që të gjejë donator të ndryshëm dhe të rritet deri në 400 milion euro. Meshkujt mbi 40 vjeç, duhet të orientohen doemos në zhvillimin e bujqësisë. Bujqësia është baba e nana e këtyre qytetarëve”, tha Kelmendi.
Biznesmeni dhe politikani Ramiz Kelmendi tha se nuk u imponon votën punëtorëve të tij. Ai tha se do të ishte tejet i kënaqur nëse ata do ta votonin, por nuk e lidhë punën dhe votën.