Këngë dashurie

Prishtinë | 09 Mar 2023 | 20:10 | Nga Ekonomia Online

(Poezi nga Shuki Kurti- Musa)

A ndjehesh
burrë i plotësuar,
t’më duash çmendurisht?
T’më bësh të ndrij si hëna në qiell?
Eja pra,
zotohem se do t’i ndez yjet
në prani të diellit…

Ti më njeh,
unë e dua qiellin dhe detin,
më përndezin pafundësitë;
E pafundme jam,
tashmë besoj e di dhe ti,
në dashuri jam e “pashpirt”.

Ti rri
si diell i fshehur pas resh,
dashuron mesatarisht
e dashuria s’ka mes!

Një gjë është e sigurt,
dashuria e gjymtë s’është për mua!
E plotë jam unë,
plotnit i dua;
ato që më mbajnë qiellit e tokës,
që ma djegin lëkurën deri në shtresën e fundit
që kockat m’i kërcasin e thërrmojnë
e që pëlcasin sytë e botës.

Smoking e kollare,
si burrat e politikës mos vish,
nëse tek unë
do vish!

Eja me petka të bardha,
të pastra si lëkura jote
e parfum mos hidh:
aromën e trupit tënd dua, jo të Jean Paul Gautier…

Ji veç vetja,
me shpirt autentik,
edhe lulet i dua të egra,
rritur rrëzë guri a nëpër ferra,
le t’mos jenë aq të hijshme e të buta në prekje;
ashtu i dua, bre,
t’i nuhas e shijoj deri në vdekje!

Eja si kalorës i vërtetë,
të digjesh në flaket e një gruaje,
pa tituj bombastik gazetash,
pa bujë,
a deshe të më shuaje?
Pimë si çaj pa sheqer;
e jotja jam dhe pikë!
Të mbetsha në fyt e kopsh,
nëse ke frikë!

Trim të dua, siç kisha tim atë,
ishte burrë i plotë,
i dashuruar
e me kryet lart!

Eja thjesht,
si qielli i pastër e i pafund,
pafundësitë më dehin,
më çmendin,
më vënë përfund!

Eja, të pres,
nëse vërtet dëshiron
të hidhesh humnerës së panjohur
e thellësitë s’të trembin.

Eja,
besoj e ke kuptuar tashmë:
gjithë beteja ime ishte
të mos ngjaja me asnjë grua tjetër!
Doja të isha ndryshe,
vetja,
prandaj të dua ty…
se jemi të ngjashëm.

Eja, pra, më bëj
lule të “egër”,
qielli të na ketë lakmi,
të festojë shkëndijat tona,
ndezur në sy…

Unë dua një burrë,
një burrë të çmendur nga dashuria…

Si unë…

Conthey
2023

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme