Këngëtarja ukrainase, Maruv, i është hequr e drejta për të përfaqësuar vendin e saj në Eurovizion dhe duket se arsye mbetet tensioni ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë.
Kënga “Siren Song” e Maruv mori votat e publikut për ta përfaqësuar Ukrainën, por më pas lindën mosmarrëveshjet me televizionin kombëtar.
Asaj iu dhanë 24 orë kohë për të nënshkruar një marrëveshje që e detyronte të anulonte turin e saj në Rusi. Bisedimet ngecën dhe televizioni i hoqi të drejtën e përfaqësimit në Evrovizion këngëtares.
27-vjeçarja, emri i vërtetë i së cilës është Anna Korsun, tha se ajo ishte dakord që të anulonte turin e saj në Rusi, por sipas saj, në kontratë kishte edhe kushte të tjera deri në censurë.
“Jam qytetare e Ukrainës, paguaj taksat dhe e dua sinqerisht vendin tim. Por, nuk jam gati të performoj me slogane, duke e kthyer shfaqjen time në promovim për politikanët”, shkroi ajo në Facebook.
Maruv falënderoi të gjithë mbështetësit e saj, teksa u kërkoi që të mos të ndërmerrnin asnjë veprim agresiv.