Një këngëtar i famshëm i operës në Kinë është censuruar rregullisht në internet për shkak të ngjashmërisë së madhe në fytyrë me presidentin e këtij shteti, Xi Jinping.
Liu Keqing, 63 vjeç, është përballur me bllokim të llogarisë në rrjetin social Douyin disa herë për shkak të ngjashmërisë me presidentin kinez, kanë raportuar disa medie kineze.
Kina është kritikuar për mbrojtjen e madhe që ia bën figurës së presidentit Jinping pasi ky shtet më parë e ka censuruar një figurë të animuar kur përdoruesit e internetit kishin filluar ta krahasonin atë me kreun e shtetit, shkruan “Daily Mail”.
Këngëtari kinez që jeton në Berlin ka ofruar këshilla për këtë profesion përmes llogarisë së bllokuar që nga viti i kaluar. Në këtë rrjet, këngëtari Keqing i kishte 41,000 ndjekës.
Ai në maj e kishte publikuar një video ku pretendonte se llogaria e tij në Douyin është censuruar me arsyetimin se ka bërë shkelje të imazhit.
Keqing tha se i ka dorëzuar materialet e identifikimit dhe është duke pritur për aprovim të llogarisë. Për më tepër, ai shtoi se llogaria i është bllokuar tri herë.