Këngëtari Muhamet Sejdiu në një lidhje direkte me “1 Kafe me Labin” ka rrëfyer për betejën e tij me koronavirusin. Ka thënë se pas një periudhe me terapi tani po ndihet vazhdimisht e më mirë.
Sejdiu dhe bashkëshortja e tij u regjistruan si të infektuar ditë më parë, pas një vizite që kishin në Gjermani.
Ai ka thënë se simptomat e para ishin sikur të një gripi normal. Sipas tij, fillimi ishte më i vështirë, por tash pas qëndrimit disaditor në Klinikën Infektive në Prishtinë, është lehtësuar dhe është shumë më mirë.
“Simptomat e para janë sikur grip, pak temperaturë, lodhje, terje të fytit. S’më ka shkuar mendja sepse jemi mësuar të kemi grip, të marrim medikamente. Por kur pash veten, pas 6-7 dite, që tamam jam lodhur dhe kontaktova mjekët. Bëra testin dhe doli pozitiv. Në fillim kam qenë shumë keq, deri sa më është caktuar terapia. Tani jam secilën ditë më mirë e më mirë. Jam mirë, kam marrë terapinë. Bashkëshortja është në top-formë”, ka thënë ai.
Sejdiu ka shprehur gëzimin që të gjithë personat me të cilët ka pasur kontakte kanë rezultuar negativë në testet ndaj koronavirusit.
Në mesazhin e tij për të tjerët, Sejdiu ka lutur të rrinë nëpër shtëpi e të kujdesen për veten dhe të tjerët.