Kenia thotë se Pacollin e kanë pranuar si të deleguar të Presidentes Osmani

Prishtinë | 26 Mar 2025 | 19:58 | Nga Ekonomia Online

Republika e Kenias e ka njohur shtetin e Kosovës, duke i dhënë fund një periudhe katërvjeçare pa asnjë njohje të re për shtetin e Kosovës. Lajmin e konfirmoi ish-presidenti Behgjet Pacolli, i cili ndau edhe fotografi me presidentin e Kenias, William Ruto, gjatë nënshkrimit të letrës së njohjes, raporton Ekonomia Online. 

Lajmin fillimisht e konfirmoi ish-ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, i cili në rrjete sociale i ka publikuar edhe disa fotografi nga ceremonia e nënshkrimit të vendimit nga presidenti i Kenias, William Ruto. 

Por në rrjetin social “X”, Deprtamenti i Jashtëm i Kenias ka bërë të ditur se Pacolli është pritur si i deleguar nga presidentja Vjosa Osmank 

“Presidenti William Rutto sot ka pranuar të deleguarin e presidentes Vjosa Osmani, Behgjet Pacollin”, shkruan ndër të tjerash në njoftim.

“Kenia e ka pranuar Kosovën në interes të paqes dhe sigurisë botërore, integritetit territorial dhe si pjesë e forcimit të marrëdhënieve me shtetet e Ballkanit”, thuhet tutje në njoftimin zyrtar të Kenias. 

Ky zhvillim erdhi pas një pauze të gjatë në procesin e njohjeve, duke rikthyer vëmendjen te diplomacia kosovare. Në mars 2023, Kenia njohu pasaportat e Kosovës, ndërsa në shtator të po atij viti, presidenti Ruto dhe homologja e tij kosovare, Vjosa Osmani, zhvilluan një takim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që duket se i hapi rrugën këtij vendimi.

Kenia bëhet shteti i 118-të i cili e ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës. Njohja e fundit për Kosovën ka qenë ajo nga Izraeli dhe e cila ka qenë pjesë e marrëveshjes së Washingtonit, e arritur më 4 shtator të 2020-s.

Të ngjashme