Zakonisht taksat mblidhen për të mirën publike. Me ofru funksione publike të domosdoshme sikur mbrojta dhe siguria, arsimi, shëndetësia… por edhe infrastrukturë dhe mundësi zhvillimi. Idea është që t’ua marrë bizneseve një shumë të fitimeve, por ja kthen 10 fish duke krijuar mundësi për to me fitu edhe më shumë.
Kjo nuk po ndodhë tek ne. Taksat janë keqkuptuar dhe logjika aktuale është jo e duhur. Kur taksat merren dhe ato nuk kthehen në të mirë të bizneseve apo edhe nuk shpenzohen që të kthehen në ekonomi, ato nuk janë më taksa, janë haraç.
Nëse ti merr taksa nga bizneset e nuk i harxhon, vetëm dëm i ke bërë ekonomisë. Kapitali shumë më mirë rritet e shumëfishohet në dorën e bizneseve sesa kur ato qeveritë i marrin. Sidomos në rastet ku kemi qeveri që nuk kanë kapacitete me kriju politika dhe veprime zhvillimore.
Ka mijëra biznese që kanë paguar me dhjetëra milionë taksa, por ato asnjëherë nuk janë kthyer në dobi të biznesit të tyre. Edhe sot, 25 milion ka buxhet ministra e sektorit privat, industrisë dhe eksporteve, e mbi 1 miliardë janë ndihmat sociale! Ky është një krahasim analogjik sa ju kthehen mjetet bizneseve për zhvillimin e tyre.
Pra, në Kosovë e kemi një paradoks të thellë. Ju merren taksat bizneseve por qeveritë nuk munden me i shfrytëzuar ato. Ky është një krim dhe po e dëmton potencialin zhvillimor. Po dëmton bizneset dhe ekonominë e vendit.
Kështu, qeveria nga një organ që duhet të strimulojë rritjen ekonomike, bëhet një institucion që po e pendon rritjen dhe zhvillimin. Gjithmonë është më mirë paret të mbesin tek bizneset dhe në treg sesa të myken tek qeveria pa ditur t’i shfrytëzojë dhe përdorë ato.
Kohën e fundit po ndodhë edhe një anomali edhe më e madhe. ATK po gjobit dhe denon bizneset që kanë ndihmuar sportin. Kjo për shkak se të disa procedurave mes insitucioneve publike që në fund po pëson vetëm sporti.
Ky mentalitet haraçi ndaj bizneseve është shumë i dëmshëm dhe s’ka logjikë as sens ekonomik. Disa klube sporti, sidomos në hendboll, edhe po rrezikojnë të shuhen se tash bizneset po hezitojnë t’i përkrahin ato, edhe pse ligji ua mundëson.
Ky është një mentalitet ogurzi ekonomik, që po rëndon edhe më shumë një ambient edhe ashtu shumë të vështirë biznesi. Kështuqë kur qeveria krenohet që po mbledh shumë taksa, e në anën tjetër nuk po arrinë t’i shpenzojë dhe përdorë ato në të mirë të bizneseve dhe publikut, ajo po ngulfatë edhe më shumë bizneset dhe ekonominë.
Qeveria në vend që t’i ndëshkoj e gjobitë pa asye bizneset që kanë ndihmuar sportin, ajo duhet të ndihmojë vetë sportin dhe të fillojë një proces të reformimimt të strukturës. Sporti duhet të kthehet në një mundësi për zhvillim. Klubet nuk mund të mbesin nën menaxhimin e komunave, por duhet të gjinden forma të integrimit të sektorit privat.
Sporti ka mundësi së paku 10% të ekonomisë të rritë deri 2030. Por jo nëse ne i shkatërrojmë edhe më shumë. Nëse ATK i gjobitë ata që po ndihmojnë sportin, duke i frikësuar kështu bizneset të ndihmojnë klubet, rrjedhimisht duke sjellur para mbylljes klubet.
Kjo logjikë e mbledhjes së taksave pa kthim tek bizneset është e pafavorshme dhe duhet të ndryshojë. ATK duhet të lërë anash arrogancëne saj dhe mos të krenohet nëse ka mbledhur shumë taksa, të cilat nuk po investohen dhe po myksen – të gjithë po humbasim, më së shumti bizneset. Ne të gjithë duhet të krenohemi vetëm atëherë kur kemi krijuar politika tatimore dhe ambient e kushte të mira që bizneset po rriten dhe po përmirësojnë mirëqenien e publikut.