Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka reaguar pas kanosjes që Zafir Berisha ia ka bërë kryetarit të Prizrenit Shaqir Totaj.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Bajqinovci ka përmendur edhe raste të tjera të ndodhura në të kaluarën, ku thotë se këta njerëz tani ndihen në siklet nga rendi dhe ligji. Sipas tij, “për ta shtet nuk ka pasur deri tash, ata ishin vet shteti”.
Reagimi i tij i plotë:
Vite më parë patëm parë djemtë e Grabovcit që rrahën Policët e Kosovës, ditë më parë Sami Lushtaku duke reaguar mbi deklaratat e zyrtarëve të qeverisë kishte përdorur fjalë prej më banaleve, që nuk i takojnë asnjë njeriu të zakonshëm se lëre më një prej figurave kyqe të PDK-së. Pas ca ditësh pamë videon se si Zafir Berisha mësynë për ta goditur zyrtarin e Policisë së Kosovës i cili ishte marrë me veturën e tij të parkuar gabimisht, poashtu paskan filluar kërcënimet edhe brenda llojit në Prizren.
Këto janë simptoma të njerëzve që tash ndihen në siklet me ekzistimin e rendit dhe ligjit, se ligji duhet vlejtur për të gjithë përveç atyre. Ky është sikleti i të qenit i barabartë, ata nuk mund ta durojnë veten të jenë qytetarë e anonim, prandaj edhe me kaq frustrim sillen ndaj kujtdo sepse për ta shtet nuk ka pasur deri tash, ata ishin vet shteti.