Për 48 orë, Haxhi Hoti nga Nisma Socialdemokrate do të qëndrojë në paraburgim. Pas arrestimit nga Policia e Kosovës, prokuroria ka kërkuar që Hoti të qëndrojë në mbajtje.
“Personi në fjalë, me urdhër të prokurorit kujdestar, është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme. Lidhur me epilogun e veprimeve të mëtejme, do të jeni të informuar”, ka thënë Laureta Ulaj, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore, Prishtinë.
Kandidati për deputet nga NISMA, Haxhi Hoti, u arrestua pas shkrimit të tij në Facebook të premten mbrëma, ku tha se pretendenti për kryeministër Albin Kurti, mund të vritet.
Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, ka thënë se fillimisht, Hoti nuk është gjetur në shtëpi, derisa të njëjtit i është lënë ftesa për paraqitje në Polici. Pas paraqitjes, Hoti është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Policia e Kosovës ka trajtuar informacionin e publikuar në rrjete sociale dhe sipas detyrës zyrtare, ka ndërmarrë veprimet konform autorizimeve ligjore, duke trajtuar rastin si ‘shtytje në vrasje’. Të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, personi i dyshuar është kërkuar dhe nuk është gjetur në shtëpi, të njëjtit i është lënë ftesa për paraqitje të menjëhershme në polici dhe janë njoftuar të gjitha njësitet policore se kudo që takohet ,i njëjti të arrestohet. I dyshuari pas paraqitjes në polici, me urdhër të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme”, ka thënë Hoxha.
Derisa i pari i LVV-së, Albin Kurti, ka reaguar duke kërkuar lirim të Hotit nga paraburgimi për festat e fund vitit dhe ka thënë se nuk i merr seriozisht kërcënimet e tij.
Arrestimi i anëtarit të NISMA-s ka nxitur edhe reagime të shumta në rrjetet sociale.
Juristja, Flutura Kusari, ka kritikuar institucionet për mosreagim, pas sulmit të ministrit në detyrë, Endrit Shala ndaj një gazetari.
“Arrestimi i kërcënuesve të politikanëve është i mirëseardhur. Mirë, përse policia dhe prokuroria nuk janë po aq efikasë në rastet e abuzimeve fizike ndaj gazetarëve? Ministri Endrit Shala nuk është arrestuar pas rrahjes që ia bëri gazetarit të Indeksonline. Prokuroria nuk i merr seriozisht rastet e gazetarëve, nuk ka transparencë dhe emrat e prokurorëve përgjegjës mbahen të fshehur dhe nuk ka aktakuza, përkundër shumë kërcënimeve. Koordinatori i prokurorive për rastet e gazetarëve duhet të japë sqarime për dështimet në rastet e gazetarëve”, ka thënë Kusari.
Derisa shkrimi i Hotit ka ngjallur reagime të shumta, Jakup Krasniqi nga Nisma Socialdemokrate ka thënë se janë kundër dhunës. Ai megjithatë, ka thënë se është keq që vetëm lajmi i keq bëhet lajm.