Publicisti Halil Matoshi është kanosur mbrëmë live në emisionin “Politiko” në Kanal 10 nga Fehmi Berisha – “aktivist i çështjeve kombëtare”. Për këtë rast Prokuroria e Prishtinës ka konfirmuar nisjen e hetimeve.
Fehmi Berisha beson se diktatori Enver Hoxha ka qenë kryenacionalisti më i madh i të gjithë kohërave në historinë e Shqipërisë, prandaj edhe shprehet se do t’i kishte aplikuar vrasjet në Kosovë njësoj si në kohën e diktatorit Hoxha.
“Enver Hoxha ka qenë kryenacionalisti më i madh në historinë e Shqipërisë. Sali Berisha e ka dhënë shifrën 5 mijë e 680 të vrarë gjatë periudhës së sundimit të Enver Hoxhës. Unë aq për 24 orë sonte në Kosovë i kisha vjerrë në sheshin e Prishtinës”, u shpreh ai në Kanal 10.
Më pas tha “Të parin e kisha vjerrë Halil Matoshin”.
Një ditë pas deklaratës së tij, Gazeta Express ka kontaktuar me Fehmi Berishën dhe e ka pyetur nëse është tërhequr nga kjo deklaratë, por ai është shprehur se po të ishte në pushtet do ta bënte regjimin diktatorial dhe do t’i varte personat që përdhosin vlerat e atdheut.
“Do ta vrisja, do ta bëja, do ta jepja etj.,pra folje në të pakryeren e kushtores. Nuk kërcënova pra.( Nuk thash: do ta vras),ndaj mosfalsifikoni dhe mosdezinformoni.Kam thënë kushtimisht; Do ta varja… është e pakryera e kushtores. Pra nuk kam kërcënuar. Ndaj jo, nuk kam përse të pendohem. Kushtimisht, do të thotë: Sikur të isha në pushtet, do ta bëja regjimin diktatorial, ligjet e tilla dhe të gjithë ata të cilët përdhosin vlerat e atdheut do t’i varja. Pra, personi në fjalë mua për dite, orë e çast m’i perdhos vlerat”, tha Berisha.
Ai pretendon që sistemin e Enver Hoxhës ta rikthejë në Kosovë, kur thotë “Nëse ndonjëherë fitojmë ne, pastaj shohim”.
“Dikur si maturant gjimnazi, me 1974, bashkë me shokë kisha themeluar “Grupin Revolucionar për Bashkim Kombëtar” Bashkë me Envver Hoxhën, bashkë i bëmë demostratat e vitit 1968, pastaj ato të vitit 1981, pastaj e bëmë luftën 1998-99 dhe vijë ai ma përdhos mësuesin idolin!!! Unë kam lindur në një fshat të Besianës, por jam shqiptar. Shqiptar me gjuhë e gjak. I teket erifit, ose erifave dhe përdit ma perdhosin identitetin shqiptar,duke dashur t’ma ndërrojnë kombin ne kosovar!!! Të tillët ma heqin edhe flamurin!!! Kaq them unë. Nëse nuk ju mjafton prokuroria e Kosovës, kërkoni ndihmë edhe nga ajo e Serbisë. Jam mesuar t’më dënoni, sepse më keni dënuar edhe ’68-ten,edhe ’81-ten,edhe ’97-99. Nëse ndonjëherë fitojmë ne, pastaj shohim”, u shpreh ai.
Për kanosjen që e mori live në emsion, publicisti Halil Matoshi i tha Fehmi Berishës “pushka top t’u boftë”.
Por, për deklaratat e tij gjatë emisionit, fillimisht Matoshi tha se e respekton lirinë e shprehjes por “një televizion me valë nacionale me u fol për vrasje në mënyrë të hapur nga një vend të lirë, sonte Prokuroria e çdo shteti do ta arrestonte këtë. Kjo është sekt apo besim politik. Për shkak të besimit të çmendur marrin jetë të njeriut. Thirrje e hapur për luftë civile e vrasje të njerëzve”, i tha Matoshi Berishës.
Për këtë rast Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka nisur mbledhjen e informacioneve, ka konfirmuar kryeprokurori i Prishtinës, Kujtim Munishi.
“Prokurori kujdestar në bashkëpunim me Policinë po merret me rastin”, tha Munishi për Insajderin.
Kjo deklaratë ka nxitur tejet shumë reagime.
Ish-ambasadori Lulzim Peci ka thënë se shqiptarëve i kanë ardhë shumë të zeza nga “enverizmi”, prandaj këtë kërcënim e ka quajtur të patolerueshëm.
“Shume te zeza i kane ardhur shqiptareve nga enverizmi (kombinim i komunizmit jugoslav, stalinist dhe maoist) pasojat e te cilit jemi duke i paguar edhe sot! Mirepo, vullneti per te ekzekutuar njerez per mospajtime politike ne dekaden e trete te shekullit XXI eshte i tmerrshem, dhe nxjerre ne pah mendesine e vertete te kesaj funderrine ideologjike! Organet e rendit dhe ligjit duhet te veprojne menjehere ndaj kercenimit qe ju be Halil Matoshit! Ky kercenim eshte i patolerueshem!”, ka shkruar Peci.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kërkuar reagim të institucioneve të rendit ndaj kanosjes për Halil Matoshin.
“Dhuna nuk fillon me shkrepje plumbi. Dhuna verbale apo ajo që njihet si vrasja e karakterit (character assassination) i paraprinë dhunës fizike, si instrument për ta justifikuar të dytën. Tash e një kohë në diskursin tonë publik është normalizuar dhuna dhe linçimi. Me lehtësi të padurueshme, madje edhe nga foltorja e Kuvendit, njerëzit janë shpallë kriminelë dhe tradhëtarë. Institucionet e rendit duhet urgjentisht të reagojnë ndaj kërcënimit publik që iu bë Halil Matoshit”, është shprehur ajo.
Ndërsa, Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë “STOP dhunës verbale dhe gjykimeve publike. Argumentet, vetëm argumentet e ngrisin e rrisin këtë shoqëri”. shttps://www.facebook.com/plugins/video.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FKanal10.live%2Fvideos%2F1522022588210934%2F&show_text=0&width=560