Disa anëtarë të Këshillit të prindërve të shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Pandeli Sotiri” në Obiliq kanë kërcënuar me bojkotim mësimin nëse komunarët nuk heqin dorë nga emërimi i drejtorit të ri të ksaj shkolle, shkruan sot Koha Ditore.
Ata të premten kanë organizuar edhe një protestë bashkë me nxënës për të kundërshtuar vendimin për zgjedhjen e drejtorit të ri dhe largimit të drejtoreshës Xhavahire Krasniqi.
Një prej tyre, Shaban Kurteshi, ka thënë se drejtoresha Krasniqi e ka bërë shkollën “Pandeli Sotiri” model për të gjitha shkollat e Kosovës dhe se nuk ka pasur arsye për ta emëruar dikë tjetër.
“Drejtoresha (Xhavahire Krasniqi v.j.) e kësaj shkolle ka treguar suksese. Të gjitha këto arritje që i ka kjo drejtoreshë në “Pandeli Sotiri” asnjë shkollë në Kosovë nuk i ka, shkruan gazeta Koha Ditore.
Arsyeja është se e vetmja drejtoreshë që ka kontribuar në bashkëpunim me prindër dhe nxënës, e kemi muzeun e shkollës, bibliotekën, pastërtinë. Të gjitha këto bashkërisht i kemi arritur”, ka thënë Shaban Kurteshi. “Kjo gjatë luftës ka qenë e plagosur dhe ashtu ka dhënë mësim edhe në shkollat e Lezhës, që edhe atje ka dhënë kontribut në mësim.
Ndaj personelit arsimor dhe nxënësve është jashtëzakonisht korrekt, nuk ka asnjë vërejtje. Arsyeja që ne e kemi marrë këtë iniciativë është se mendojmë se këtë po e largojnë veç për shkaqe politike. Kryetari i komunës do që ta sjellë një anëtar të partisë së vet.