Kërcënohet ekipi i Kallxo në Klinë të Skenderajt, po raportonte rreth ndërtimit të një kishe në këtë fshat

Prishtinë | 26 Shk 2024 | 22:26 | Nga Ekonomia Online


Ekipi i medias online Kallxo.com, i përbërë nga gazetarja Adelinë Ahmeti dhe kameramani Jetmir Hoxha, janë kërcënuar gjatë ditës së sotme në fshatin e Skënderajt, Klina e Mesme, nga një qytetar me inicialet M.H.

Ekipi i Kallxo, është penguar nga qytetari në fjalë pasi të njëjtit ishin duke e trajtuar një problematikë rreth ndërtimit të një kishe në këtë fshat.

Në raportimin e medias, thuhet se qytetari përveç se ka penguar ai ka përdorur gjuhë fyese dhe kërcënuese ndaj ekipit të tyre – të cilën më pastaj e kanë raportuar në stacionin policor të Skënderajt.

“Ec, ec, veç të shkoj në shpi se pa jau ** atë nanë s’e la…Po ta dha besën e Zotit që telash ka me ju dalë, unë po ta dha besën e Zotit që telash ka me ju dalë”, ishin kërcënimet që M.H., i kishte thënë atyre.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i shqetësuar me kërcënimin e bërë ndaj kolegëve të Kallxos, dhe i bën thirrje Policisë së Kosovës që rastin ta trajtojë me prioritet.

Dënojmë çdo formë të kërcënimit ndaj gazetarëve, kameramanëve dhe punonjësve të tjerë medialë, dhe i bëjmë thirrje organeve kompetente që të vendosin drejtësi për të gjitha kërcënimet dhe sulmet në drejtim të medieve.

Çdo sulm ndaj gazetarëve dhe medieve, është sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë.

Të ngjashme