Presidenti i Kinës, Xi Jinping, i ka paralajmëruar ata që po shfaqin pakënaqësi ndaj pushtetit kinez, duke thënë se secila përpjekje për ta ndarë Kinën do të përfundojë me trupa të shkërmoqur dhe eshtra të bërë hi.
Këto komente presidenti kinez i bëri të dielën, gjatë një vizite shtetërore në Nepal, ndërsa ato u transmetuan nga televizioni shtetëror kinez, CCTV.
Ai nuk e përmendi ndonjë rajon të caktuar, por deklarata e tij u vlerësua si paralajmërim për Hong Kongun, ku protestuesit po e kundërshtojnë pushtetin e Kinës për disa muaj me radhë.
“Secili që provon ta ndajë ndonjë rajon nga Kina do të shuhet, trupat e tyre do të shkërmoqen dhe eshtrat do t’u bëhen hi”, tha presidenti Jinping, sipas deklaratës së lëshuar nga Ministria e Jashtme e Kinës.
Që nga fillimi i protestave në Hong Kong para katër muajve, Kina i ka fajësuar forcat e huaja për nxitje të kryengritjes dhe i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe për ndërhyrje në çështjet e brendshme të Kinës.
Pekini ka thënë se policia e Hong Kongut është e aftë ta menaxhojë krizën në këtë rajon, por protestuesit kanë frikë se Kina mund të dërgojë trupa për t’i shtypur protestat e dhunshme, shkruan “BBC”.