Nuk janë të rralla rastet në vendin tonë kur fëmijët denoncojnë prindërit për dhunë në familje. E një rast i tillë ka ndodhur dje në fshatin Studençan në komunën e Suharekës, ku një vajzë e mitur ka raportuar në Polici se është rrahur nga babai i saj, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet Sinjali brenda Qendrës së Mjekësisë Familjare në Studençan, si pasojë e dhunës së përjetuar, 17-vjeçarja ka marrë lëndime trupore për çka i është ofruar edhe ndihma mjekësore.
Sipas burimeve, i dyshuari ka përdorur dhunë edhe ndaj bashkëshortes së tij, respektivisht nënës së vajzës.
Lidhur me rastin, njësitet policore kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim të dyshuarin, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’ si dhe me vendim të prokurorit atij i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Ndryshe, Sinjali mëson se motivi për dhunën e shkaktuar dyshohet se janë mosmarrëveshjet e vazhdueshme mes babait dhe të bijës.