Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për të dyshuarin Q.M., inspektor i Administratës Tatimore të Kosovës në Mitrovicë, pasi ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit“ nga neni 421 paragrafi 1 të KPRK, dhe për S.S., nga Novi Pazari,
për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Dhënia e ryshfetit“ nga neni 422
paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
I dyshuari Q.M., inspektor i ATK në Mitrovicë, dyshohet se me datë 24 prill 2024, në
parkingun e Terminalit Doganor në Mitrovicë, si person zyrtar në mënyrë të
drejtpërdrejtë ka pranuar shumën e të hollave prej njëqindetridhjetepesë (135) euro,
në mënyrë që të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.
I dyshuari S.S., dyshohet se me qëllim të lehtësimit të procedurave për lirimin e
mallit, i jepë dhuratë personit zyrtar shumën prej njëqindetridhjetepesë (135) euro, e
gjithë kjo me qëllimin që i njëjti të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.
Seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve pritet
të mbahet ditën e premte, datë 26 prill 2024, pranë Gjykatës Themelore në
Mitrovicë.