Shqipëria hap garën ndërkombëtare për të tërhequr investorë të huaj për kërkimin e naftës në jug të vendit.
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka shpallur njoftimin për shprehje interesi për “Bllokun 5”, pas një udhri të ministrit të Infrastrutures dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.
“Blloku 5” përfshin të gjithë pjesën tokësore nga Vlora deri në Sarandë dhe interesi nga investitorët duhet shprehur brenda tetorit.
Kompanisë fituese do t’i jepet për kërkim nafte dhe gazi, për një periudhë 5-vjeçare me të drejtë zgjatjeje deri në 7 vite, ashtu siç parashikohet në ligjin për hidrokarburet. Nëse kompania zbulon naftë në zonën e “Bllokut 5” fiton të drejtën e shfrytëzimit, sipas kushteve që përcaktohen në kontratën me shtetin shqiptar.
Periudha e nxjerrjes dhe prodhimit do të jetë 25 vite dhe mund të zgjatet edhe më tej. Kërkimet nuk do të shtrihen në det, por në pjesën tokësore deri në kufi me Greqinë, raporton Tch, transmeton Klan Kosova.
Që pas ndërrimit të sistemit në vitin 1991, Shqipëria ka qenë e hapur për kompanitë e huaja për të zhvilluar kërkime nafte në tokë dhe det. Deri më tani janë shpenzuar qindra milionë euro, ndërkohë që kontrata më e fundit e lidhur ka qenë për “Bllokun 4” në zonën e Dumresë me kompaninë holandeze “Shell”, e cila do të investojë mbi 42 milionë euro për kërkimin e naftës.