Në Studime të Poshtme të Vushtrrisë janë përkujtuar 116 civilë që u vranë nga forcat serbe 18 vjet më parë.
Familjarët e këtyre të vrarëve u ankuan se ende asgjë nuk është zgjedhur dhe se vrasësit të dashurve të tyre ende nuk kanë marrë ndonjë dënim. Ata kërkuan nga institucionet të bëjnë më shumë në këtë drejtim.
Pos shumë familjarëve e qytetarëve të Komunës së Vushtrrisë, në këtë përkujtim morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku; komandanti i FSK-së, Rrahman Rama; zv.ministri i Bujqësisë, Kurtan Kajtazi, deputetë të Parlamentit të Kosovës dhe zyrtarë të tjerë institucionalë e partiakë.
Shpresa Rama, drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Vushtrrisë, tha se kanë kaluar 18 vjet dhe kujtimi për ta është ende i freskët, nuk i harron lehtë njeriu dhimbjet që ia dogjën shpirtin. “Sikur të ishin të natyrshme këto humbje, do të pajtoheshim, por mënyra si na i morën nga krahu, është e pafalshme dhe dhimbja bëhet edhe më e madhe kur e dimë që ata që e shkaktuan janë të lirë dhe ende asnjëri s’është dënuar”.
“Është anakronike dhe absolutisht e papranueshme, kur kupton se më shumë janë dënuar shqiptarë se sa kriminelët serb për krime lufte! Institucionet tona shtetërore duhet që për asnjë çmim mos të lejojnë, dhe kurrë mos të pajtohen me përpjekjen e serbëve që ta barazojnë viktimën me agresorin. Ne jemi të vetëdijshëm se nuk është e letë, por na dhemb fakti që “drejtësia” deri më sot, fatkeqësisht, më shumë dënoi viktimën se sa dorasin! Kjo është për keqardhje dhe shumë e dhimbshme për familjarët e martirëve, dëshmorëve”, ka theksuar Rama.
Edhe familjarët e dëshmorëve u ankuan se ende asgjë nuk është zgjedhur dhe se vrasësit e të dashurve të tyre ende nuk kanë marrë ndonjë dënim.
“Nuk mjafton që vetëm një kriminel të akuzohet për këtë krim kaq të madh”, tha njëri nga familjarët në këtë përkujtim.
Të pranishmit bënë homazhe tek lapidari i ngritur për viktimat e Studimes, kurse homazhe dhe kurora lulesh u vunë edhe në varrezat e Dëshmorëve në fshatin Bletaj.