Kërkohet efikasitet në trajtimin e rasteve korruptive

Prishtinë | 14 Maj 2019 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, ka pritur sot në takim, Komisionin Mbikëqyrës të Njësitit për Krime Ekonomike, në përbërje prej, Arben Ismaili, kryetar i këtij komisioni, Laura Pula dhe z. Haxhi Dërguti, anëtar. 

Në këtë takim morën pjesë edhe prokurorët e Njësitit Ekonomik të dy departamenteve të kësaj prokurorie.

Fillimisht fjalën hyrëse të këtij takimi e mori Beka, duke i falënderuar komisionin mbikëqyrës për përkrahjen e dhënë Njësitit në trajtimin e rasteve të natyrës ekonomike dhe të korrupsionit.

Gjatë këtij takimi u diskutua çështja e reduktimit të rasteve të natyrës korruptive e me theks të veçantë u fokusua çështja e arritjes së normës orientuse për zgjidhjen e lëndëve të kësaj natyre.

Po ashtu, gjatë këtij takimi u diskutua edhe plotësimi i pozitave të prokurorëve në Njësitin për Krime Ekonomike, duke marrë për bazë rastet të cilat kërkojnë trajtim të vazhdueshëm. Krejt në fund të këtij takimi u dhanë konkluzione në arsyeshmërinë e vazhdimit të punës së këtij Njësiti, me qëllim të zgjidhjes dhe luftimit të kësaj dukurie negative.

Të ngjashme