Avokatja Florie Drevinja kërkoi ekzaminim psikiatrik të Adonis Gashit, të akuzuarit në procesin për vrasjen e rreshterit Shemsi Gashi.
Në gjykimin e tetë personave në lidhje me vrasjen e rreshterit Shemsi Gashi, avokatja Florie Drevinja kërkoi ekzaminim psikiatrik të të mbrojturit të saj Adonis Gashi.
Drevinja ekzaminimin e kërkoi ngase tha se Adonis Gashi është traumatizuar pasi ndodhej në të njëjtën dhomë me Astrit Deharin dhe Naser Makollin në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Astrit Dehari vdiq në këtë qendër në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa Naser Makolli në prill të këtij viti.
Për Deharin, ish-aktivistin e Vetëvendosjes, raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore konstatoi se kishte bërë vetëvrasje, ndërsa për Makollin u tha se vdekja i ndodhi nga problemet shëndetësore.
“ Gjendja psikologjike dhe shpirtërore e të mbrojturit tim nga ajo që ka përjetuar gjatë qëndrimit të tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren [është e rëndë] pasi që dyshohet se dy personat me të cilët ka ndarë dhomën kanë vdekur në rrethana të dyshimta. Ai ka parë gjak dhe njeriun me shishe në fyt”, tha Drevinja.
Ajo më tutje tregoi se Gashi ishte i frikësuar kur e kishte vizituar në dhomën e tij të paraburgimit.
“Unë kam shkuar në Prizren për ta vizituar të mbrojturin tim Adonisin, i cili ka qenë në gjendje të rëndë psikike, i frikësuar dhe ka pasur tri ditë dhe tre net që nuk është ushqyer fare, ngase është frikësuar nga ajo që i ka ndodhur dy cimerëve të tij”, deklaroi Drevinja.
Drevinja tregoi se kishte bërë kërkesë për ekzaminim psikiatrik të të mbrojturit të saj, por tha se nuk ka marrë përgjigje nga gjykata.
“Unë kam dorëzuar në gjykatë kërkesën time për dhënien e urdhrit për ekzaminimin psikiatrik të Adonisit, e cila është pranuar, por nuk kam marrë ende asnjë përgjigje“ , tha Drevinja, duke kërkuar që sa më shpejt të lëshohet ky urdhër.
Edhe Adonis Gashi tha në gjykatë se nuk ishte në gjendje të vazhdojë të qëndrojë në sallën e gjyqit.
Por kërkesa e avokates Drevinja u refuzua përkohësisht nga gjykata.
“Tash për tash refuzohet kërkesa dhe gjykata ex officio do të kërkojë nga qendra e paraburgimit mendimit e mjekut ngase në të gjitha shkresat që janë në posedim nuk ka asnjë të dhënë se gjendja e tij nuk lejon pjesëmarrje apo gjykimin për këtë çështje“, tha trupi gjykues.
Pastaj avokatja Drevinja kundërshtoi vazhdimin e seancës.
“Unë nuk jam në gjendje as vetë të vazhdoj me mbrojtjen dhe të rrezikoj të mbrojturin tim pasi që gjendja e tij psikike është e rëndë. Kërkoj që seanca të ndërpritet derisa të mos sigurohet raporti shëndetësor për të mbrojturin tim Adonis Gashi“, tha avokatja Drevinja.
Pas fjalëve të avokates, seanca u shty për afat të pacaktuar derisa të sigurohet raporti i ekzaminimit psikiatrik të Adonis Gashit.