Komisioni Qeveritar për Personat e zhdukur po kërkon që sa më shpejtë të nisë gërmimi në disa lokacione të Serbisë, ku dyshohet se ka varreza masive të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së vitit 1998-99.
Kushtrim Gara, udhëheqës i njësisë në kuadër të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se është kërkesë e tyre, por edhe shoqatave të personave të zhdukur që sa më parë të fillojnë gërmimet në lokacionet e Serbisë, në regjionin e Rashkës dhe Novi Pazarit.
Ai ka thënë se për këtë janë në koordinim dhe me ndërkombëtarët.
“Është kërkesë e jona e vazhdueshme edhe përmes delegacionit por, edhe në kuadër të personave të zhdukur që sa më parë të fillojnë gërmimet edhe në një sërë lokacionesh të shënjuara në territorin e Serbisë, në lokacionin në regjionin e Rashkës dhe regjionin e Novi Pazarit. Është shumë e rëndësishme që sa më parë të kemi datat për lokacionet e shënjuara në territor të Serbisë dhe jemi në koordinim me partnerë ndërkombëtarë, meqë përvoja e deritanishme me hapjen e katër lokacioneve që vetëm një preson më i madh i bashkësisë ndërkombëtare mund të krijojë mundësinë që ne ti adresojmë këtë çështje më tutje”.
Ai ka shtuar se janë duke punuar që të ketë gërmime edhe në disa lokacione brenda Kosovës, duke shtuar se gjatë këtë viti në dy lokacione ku është bërë gërmimi janë gjetur trupa të shqiptareve të vrarë nga forcat serbe.
“Ka një sërë lokacionesh brenda Republikës së Kosovës në të cilat ne jemi të fokusuar ti adresojmë më tutje në kuptimin e gërmimit vlerësues gjatë këtyre ditëve, me theks të veçantë do të jetë lokacioni në varrezat e besimtarëve mysliman në Mitrovicën veriore meqë është punuar në vazhdimësi në këtë lokacion”.
“Është punuar edhe gjatë muajit gusht dhe shtator dhe realisht në dy gërmime që kanë ndodhur këtë vit është hasur në mbetjen mortore të viktimave të luftës të cilët janë zhvarrosur dhe janë në ekzaminim të mëtutjeshëm dhe pasi të përfundojë kjo procedurë atëherë ne do të dimë saktë numrin e viktimave që janë zhvarrosur dhe pastaj do të njoftohet familja për datën ose kohën dhe vendin e varrimit”.
Sipas tij, deri më tani janë zgjidhur më shumë se 72 përqind e rasteve të personave të zhdukur, ndërsa në Kosovë llogariten të jenë të zhdukur edhe 1640 persona.
Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është parë si mundësi që gjatë këtyre negociatave të zgjidhet kjo çështje, por deri më tash nuk pasur rezultat.
Por, Kushtrim Gara thotë se fati të zhdukurve është e rëndësishme që të jetë pjesë e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Është prezantuar edhe nga kryeministri i Kosovës që është shumë e rëndësishme që qështja e personave të pagjetur është trajtuar edhe në nivelin e dialogut në Bruksel në nivelin më të lartë politik në mes të republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe është potencuar se kjo temë do të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Tash se cili do të jetë rezultati i marrëveshjes sigurisht që nuk më takon të komentoj por për ne si komision qeveritar është shumë e rëndësishme që çështje e personave të pagjetur vazhdon të trajtohet në nivelin e dialogut të Brukselit dhe çështja e personave të pagjetur do të jetë gjithsesi pjesë e marrëveshjes”.
Mes tjerash, ai shtoi se është një numër i organizatave të cilat në vazhdimësi janë marrë me grumbullimin e të dhënave dhe të dëshmive të krimeve që kanë ndodhur në luftën e Kosovës.
Ndërsa kryetari i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Qerkini tha për Ekonomia Online se shpresat ende nuk janë humbur për të pagjeturit,
Megjithatë ai shprehet i zhgënjyer me punën që është bërë deri tash për të pagjeturit.
“Neve shpresat nuk na kanë humbur por, çka presim ne dhe familjarët sikur këto 21 vjet, këta kanë gjithmonë mi gjet shkaqet politikanët e Serbisë për të shtyre dialogun dhe negociatat dhe gjithmonë kanë thënë do të kenë si pikë kryesore për të pagjeturit dhe kurrë nuk kanë ardhur në rend dite fjalët më të sinqerta në thonjëza se kanë thënë do të jetë numër dhe derisa të gjendet një person i pagjetur nuk ka pajtim as marrëveshje tjera. Sa ne besojmë nuk kemi shumë shpresë që do të marrë fund për personat e pagjetur. Që 21 vjet nuk është bërë asgjë për ti ditur të pagjeturit në Kosovë”.
Ai tha se si familjarë kanë kërkuar që të jenë vëzhgues, mirëpo ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje konkrete.
Kryetari Qerkini theksoi se nuk ka familjarë që e ka personin të pagjetur që nuk ka dhënë më së paku dhjetë intervista, dokumente dhe fakte.
“Ne familjarët kemi kërkuar që të jemi së paku vëzhgues dhe të ballafaqohemi ballë për ballë me ata njerëz të cilët flasin dhe kanë mundësi të marrin vendime se ndryshe flet një prind, ndryshe një politikan. Ne kemi kërkuar po përgjigje nuk kemi marrë”.
Ai shtoi se çdo varrë masiv ka mbetur në gjysmë si në Mitrovicë, Zubin Potok në Rudnicë e Batanicë. Sipas tij, as ndërkombëtarët nuk kanë bërë presion aq sa duhet ndaj Serbisë, për fatin e të pagjeturve.
“Çdo varrë masiv çdo kund ka mbetur në gjysmë, si në Mitrovicë, Zubin Potok në Rudnicë e Batanicë të gjitha këto janë që duhet të vlerësohen se kanë lënë njerëz ende pa gjetur. Unë kam qenë një prej familjarëve në Batanicë. Kurrë serbi nuk do të tregojë se janë varrezat masive këto të vërteta. Kanë thënë janë 250 varreza na kemi dokumente që janë 450 na i kanë dhënë vetëm 52 vetë”.
“Kur ka ardhur imazhi satelitor dhe ju ka thënë ja se ku janë mbas dhjetë vjetëve kemi rënë në trupat që kanë qenë nën themel të shtëpisë. Argumente të reja ka por ndërkombëtarët nuk kanë bërë presion që na kemi pritur për të bërë sepse ndërkombëtarët na kanë shpëtuar që të jemi të lirë”, u shpreh ai.
Edhe 21 vite pas luftës në Kosovë ende nuk dihet fati 1640 personave të zhdukur. Serbia ende vazhdon të mbajë të fshehët fatin e personave të zhdukur në Kosovë.