Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione është takuar me përfaqësuesit e Zyrës Ligjore të Kryeministrit, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Financave për përgatitjen dhe nxjerrjen e akteve nënligjore sipas Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, raporton Ekonomia Online.
Alberita Hyseni zyrtare ligjore pran zyrës së kryeministrit foli për tri ligjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e fëmijëve.
“Hartimi i dy akteve nënligjore janë hartu draftet. Para miratimit do të duhet deklarata financiare. Ne e kemi kryer pjesën e numërimit të hartimit tash është veç deklarata financiare. Nga neni 9, ligji për mbrojtjen e fëmijëve paragrafi 2 Dhe neni 18 është akti për mbrojtje ligjore ndaj fëmijëve. Kjo është sa i përket zyrës së kryeministrit sepse është përgjegjës Kryeministria”, tha ajo.
Mentor Morina nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, tha se janë disa çështje që gjatë hartimit të akteve nënligjore janë shfaqur paqartësi.
Ai tha se domosdo kërkohet të ketë rishikime aktuale administrative siç është strehimi familjar.
“Marr parasysh që si Ministri me numër mjaft të madh të ligjeve ka qenë e pamundur të përfshihen të gjitha aktet nënligjore. Gjithsej 6 akte nënligjore.
Janë dy udhëzime pjesë e akteve administrative nënligjore për fëmijë. Të gjitha aktet nënligjore që dalin prej Ministrisë së Financave i kanë kryer obligimet me 14 apo 15 shkurt. Përveç përgjegjësive të hartimit, ministria e Financave është duke bashkëpunuar me zyrën e Qeverisë. Marr parasysh që shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve kanë qenë edhe në të kaluarën të rregulluara me qendrën për punë sociale”.
“Janë disa çështje që gjatë hartimit të akteve nënligjore janë të paqarta. Një pjesë janë çështje që mbrohen me ligjin e familjes. Andaj domosdo kërkohet të ketë rishikime aktuale administrative siç është strehimi familjar, shtëpia etj. Identifikimi i sfidave që kanë dal po merr kohë së paku dy vite. Po e përmend shtëpitë për mbrojtjen e fëmijëve që kemi një referencë të drafteve kur shkon fëmija në qendrën e fëmijëve dhe kur del nga aty”, tha Morina
E kryetarja e këtij Komisioni, Duda Balje, ka folur për dhunën nëpër shkolla. Ajo ka pyetur për numrin e inspektorëve në terren.
“Kemi pa në kohët e fundit dhuna nëpër shkolla. Ka qenë shqetësuese disa klipe që i kemi pa në shkolla. Kemi reaguar por jo mjaftueshëm. Ka pasur disa momente të këqija. Na si kuvend nuk jemi ekzekutiv. Hala është më keq që as një institucion nuk ka reaguar. Dy tri ditë ka pas reagime por jo më shumë. Duhet me ba diçka pak ma shumë”, tha ajo.
Ndërsa Merita Januzi, përfaqësuese për të drejtat e fëmijëve në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, tha ka tendenca që të rritet numri i inspektorëve nëpër shkolla e çerdhe.
“Kemi një numër të vogël të inspektorëve por ka tendencë me u rrit numri i Inspektorëve. Deri të shkon inspektorati me monitorua dikën nëse mësuesi në klasë nuk e përcjell mjaftueshëm situatën vajtje ardhje, vështirësitë në klasë”, tha ajo.