Pas ndalimit të lojërave të fatit sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në Seancën e mbajtur me 28.03.2019 janë përfshirë edhe lojërat e lotarisë, Lotaria e Kosovës e ka ndërprerë veprimtarinë e saj.
Nga ajo kohë janë zhvilluar takime dhe shkresa të shumta u janë dërguar institucioneve relevante, mirëpo deri më sot nuk është marrë asnjë iniciativë për hartimin e ligjit të veçantë për Lotarinë e Kosovë, ashtu siç është premtuar.
Nga takimet e realizuara me të gjitha grupet parlamentare ato kanë shprehur gatishmërinë në përshpejtimin e nxjerrjes së ligjit, por inicimi që duhet të merret nga Institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është ndërmarrë ende.
Punëtorët e Lotarisë së Kosovës janë shprehur se janë tejet të shqetësuar dhe të indinjuar me këtë neglizhencë të Institucioneve përkatëse për çka pakënaqësinë e tyre do ta shprehin edhe me anë të protestave. Si ndërmarrje publike ku aksionare dhe pronare është Qeveria e Republikës së Kosovës, punëtorët e Lotarisë së Kosovës kërkojnë nga e njëjta që të përmbush obligimet që i takojnë si pronare e saj.
Ata gjithashtu kanë apeluar tek Institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të iniciojnë sa më parë ligjin e veçantë për Lotarinë e Kosovës dhe përndryshe sipas njoftimit nga Lotaria e Kosovës do të ndjekin rrugët tjera për realizimin e të drejtave të tyre.