Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) me shqetësim ka pranuar lajmin përmes mediave, se Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës do të vazhdojë me procedurat e përzgjedhjes së Udhëheqësit Artistik të këtij Institucioni përkundër faktit që ky proces në thelb bie ndesh me Ligjet në fuqi.
SHATK edhe asokohe kërkoi Anulimin e procesit për shkak se Ministria e Kulturës po hap konkurs për një pozitë që nuk ekziston, ndërkohë që Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës duke u bazuar në po të njëjtin konkurs po vazhdon me procedurat e përzgjedhjes së Udhëheqësit Artistik, pra për pozitën për të cilën nuk është hapur konkursi.
SHATK thekson se:
Në Konkursin me referencë 4163/2020 specifikohet Titulli i Punës në Konkurs si: “Drejtor Artistik”.
Kjo pozitë, në bazë të legjislacionit në fuqi nuk ekziston fare. Teatri Kombëtar i Kosovës ka vetëm një drejtor, atë të Përgjithshëm. Njëherit ka edhe udhëheqës të ndryshëm, ndër ta edhe Udhëheqësin Artistik.
Konkursi në fjalë është hapur për një pozitë të punës e cila nuk ekziston në strukturën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Si i tillë ky konkurs nuk është valid, dhe është jo-legjitim. Për këtë arsye SHATK kërkon që ky konkurs të anulohet menjëherë, dhe pa humbur kohë të hapet konkursi për Udhëheqësin Artistik të TKK.
SHATK kërkon qe në mënyrë urgjente Ministria e Kulturës ta ndalojë këtë proces, i cili bazohet në një konkurs jo-legjitim. Kërkojmë nga Ministrja e Kulturës znj. Vlora Dumoshi, që menjëherë të merr masa dhe ta ndalojë këtë proces të dëmshëm për Teatrin Kombëtar të Kosovës.