E drejta e grevës është e garantuar në kuadër të veprimeve sindikale, prandaj edhe çdo veprim për ta penguar atë është në kundërshtim edhe me ligjin i ka thënë Ekonomia Online, Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Ai thotë se IKD e ka parë me shumë shqetësim kërkesën e Minsitrisë së Financave që t’u ndalen pagesat secilit person që merr pjesë në grevë duke shtuar se kjo është cenim i të drejtave të punëtorëve.
Sipas tij, Ministria e Financave duhet të tërhiqet nga ky vendim, duke kërkuar edhe ndërhyrjen e Prokurorisë për të konstatuar nëse kemi ose jo vepër penale.
“Duhet ta kemi parasysh se e drejta e grevës është garantuar në kuadër të veprimeve sindikale dhe në këtë drejtim nëse grevistët në njëfarë forme penalizohen për grevën e tyre vetë grevës i humb kuptimi. Dhe për këtë arsye Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka parë me shumë shqetësim kërkesën që tu ndalen pagesat secilit person që merr pjesë në grevë dhe në fakt është cenim i të drejtave të punëtorëve të cilët përmes grevës dëshirojnë dhe bëjnë presion ndaj qeverisë që ti realizojnë kërkesat e tyre”.
“Neni në të cilën thirret Ministria e Financave nuk qëndron sipas atij interpretimi që thotë ajo për shkak se në rastin konkret bëhet fjalë për detyrimet të cilat i kanë punëtorët në raport me punën e tyre. Kjo qasje e ministrisë së financave mund të implikojë edhe përgjegjësi penale për shkak se cenimi i së drejtës në grevë kur bëhet përmes veprimeve të kundërligjshme hynë edhe në fushën penale dhe kemi të bëjmë edhe me përgjegjësi penale”.
“E para që duhet të bëjë është që Ministria e Financave të tërhiqet nga ky vendim dhe nëse vazhdon të aktivizohet edhe prokuroi i shtetit në drejtim të hetimit të këtij rasti për të konstatuar nëse kemi ose jo vepër penale”.
Në media ka qarkulluar një email, në të cilën Sekretari në detyrë i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu, paralajmëronte se do t’i pezulloheshin pagat punëtorëve, të cilët do të merrnin pjesë në grevë.
Pavarësisht kërcënimit të Qeverisë se grevistëve do t’u pezullohen pagat, nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës(BSPK) kanë deklaruar se tashmë janë në grevë.
Kreu i BSPK-së, Atdhe Hykolli, ka thënë se Qeveria po kërcënon grevistët dhe se kjo është antiligjore. Ai e ka quajtur këtë gabim shumë të madh të Qeverisë.