Kërkohet ndihma e KFOR-it për të ndalur zjarret në Sharr

Prishtinë | 12 Gus 2024 | 14:59 | Nga Ekonomia Online

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit ka bërë të ditur se kanë kërkuar ndihmë nga përfaqësuesit e KFOR-it për të intervenuar në zjarret që kanë shpërthyer në Parkun Kombëtar “Sharri”.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se përfaqësuesit e KFOR-it kanë thënë që janë duke monitoruar gjendjen dhe duke analizuar mundësitë e intervenimit.

Tutje, AMM tregon se zjarri po vazhdon të përhapet edhe më tutje në drejtim të fshatit turistik të Prevallës dhe tashmë ka përfshirë edhe zonën strikte të natyrës “Maja e Arnenit”.

“Edhe dje dhe sot ka vazhduar monitorimi i zjarreve ne zonën e Oshlakut dhe Prevallës në territorin e Parkut Kombëtarë “Sharri”. Së bashku me stafin e DAPK “Sharri”, në monitorimin dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit, janë angazhuar edhe mbi 20 zjarrfikës nga brigada e zjarrfikësve të Prizrenit dhe një ekip e Policisë së Kosovës nga stacioni i Prizrenit. Në shuarjen e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij janë angazhuar edhe disa vullnetarë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe pjesëtaret e FSK për të bërë vlerësimin e situatës për ndërmarrjen e masave për shuarjen e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij”, thuhet në njoftim.

“Sot gjatë paradites, drejtori i DAPK Sharri z.Bajram Kafexholli, ka realizuar një takim edhe me përfaqësuesit e KFOR-it nga të cilët tash disa ditë është kërkuar intervenimi me helikopter për shuarjen e zjarrit. Përfaqësuesit e KFOR-it, kanë thënë që janë duke monitoruar gjendjen dhe duke analizuar mundësitë e intervenimit”.

Të ngjashme