Kërkohet paraburgim ndaj 9 kryesuesve për falsifikim të rezultateve të votimit në Komunën e Rahovecit

Prishtinë | 11 Shk 2026 | 16:27 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës-Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ka realizuar veprimet lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike për zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Komunën e Rahovecit.

Në kuadër të këtyre veprimeve janë intervistuar 17 (shtatëmbëdhjetë) kryesues.

Të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 9 (nëntë) kryesues janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndaj të cilëve Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe në trajtimin me prioritet të veprave penale që cenojnë votën e lirë dhe demokratike të qytetarëve.

Të ngjashme