Prokuroria Themelore në Gjilan njofton se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurve V.S. dhe F.M., të cilët dyshohen për vrasjen e 37-vjeçarit më 7 nëntor në Gjilan.
Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale ‘’Vrasja e rëndë’’ dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit V.S. dhe F.M., me datën 7 nëntor 2024, rreth orës 13:55 minuta, në rrugën ,,Mërgimtarët e Gjilanit”, në Gjilan, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin S.O., në atë mënyrë që pas marrëveshjes paraprake, e kanë përcjellë të njëjtin duke i’u vu pas me biçikleta, me ç’rast pasi i ndjeri ka dalë nga vetura, afrohen të pandehurit dhe nga afërsia i pandehuri V.S., gjuan një herë me armë në drejtim të tij në anën e majtë mbrapa shpinës, i cili për shkak të plagës ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ku më pas ikin në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
I pandehuri V.S., dyshohet edhe për veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, të KPRK-së, pasi pa autorizim, ka mbajtur në pronësi armë zjarri, e cila është sekuestruar.
Të pandehurit e lartshënuar me urdhër të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.