Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e paraburgimit ndaj E.K., dhe B.K., të dyshuar për fajde, detyrim e armëmbajtje pa leje.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit u arrestuan gjatë zbatimit të masave të veçanta të hetimit dhe vëzhgimit, në bashkëpunim me Njësinë Rajonale të Policisë në Prizren dhe Drejtorinë për Krim të Organizuar, ku u realizuaa një kontroll në regjionin e Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
E.K dhe B.K., dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajdeja”, B.K, dyshohet edhe për “Detyrim”, kurse E.K., për armëmbajtje pa leje.
Sipas Prokurorisë, viktima E.G., ka paguar kamatë mujore (fajde) prej 1 mijë e 650 euro, e që shuma arrti mbi 25 mijë euro.
“Të pandehurit E.K., dhe B.K., që nga muaji shkurt i vitit 2021, e në vazhdimësi, në Prizren, kontraktojnë shuma dukshëm jopropocionale në këmbim të shërbimit për viktimën E.G., duke e shfrytëzuar, gjendjen e rëndë financiare, papërvojën ose paaftësinë për të kuptuar pasojën, në atë mënyrë që i japin viktimës para (të holla) në formë të borxhit me kamata të paligjshme (fajde), të cilat kamata vazhdojnë t’ia rrisin pandërprerë sa herë që viktima has në vonesa të kthimit të parave. Në këtë rast, viktima E.G., nga muaji shkurt i vitit 2021 e deri në muajin shkurt të vitit 2025, ka paguar kamata mujore në shumë prej 1650 € (një mijë gjashtëqind e pesëdhjetë euro), e cila kamatë ka arritur vlerën mbi 25.000 € (njëzet e pesë mijë euro)”, thuhet në njoftim.
Më pas, gjatë këtij muaji, thuhet se të njëjtit dy të dyshuarit ia morën edhe 10 mijë euro.
“Po ashtu, i pandehuri E.K., me datë 18.03.2025 i dërgon sms viktimës E.G., duke i thënë se i ke borxh 13,650 € (trembëdhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë euro) ose e bartë banesën tek noteri në emrin e tij. Të njëjtit, me datë 26.03.2025 takohen në njërin prej lokaleve në Prizren, dhe pas bisedës rreth borxheve dhe kamatës, të pandehurit nga viktima marrin edhe 10,000 € (dhjetë mijë euro) me ç’rast intervenon policia dhe të njëjtit arrestohen”, njofton Prokuroria.
Atij thuhet se dhunshëm iu mor edhe një veturë e një orë në vlerë 1 mijë e 300 euro.
“Gjithashtu, i pandehuri B.K., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vehte përdorë forcën duke detyruar të dëmtuarin E.G., të kryej veprime në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që pasi nuk ka qenë në gjendje për ta realizuar kthimin e borxhit që ka rezultuar nga dhënia e fajdesë, në mënyrë të dhunshme ia merr automatin Golf VII, ia heq nga dora orën të dëmtuarit në vlerën prej 1300 € (një mijë e treqindë euro) si dhe e kërcënon se nëse nuk paguan borxhin dhe kamatat e lartcekura do të shkojnë tek noteri për ta bartur banesën e të dëmtuarit në posedim të tij”, thuhet në njoftim.
Me këto veprime, dyshohet e ka kryer veprën penale “Detyrimi” sipas Kodit Penal.
Gjithashtu, i pandehuri E.K., dyshohet se në kundërshtim me ligjin për armët, posedon një pistoletë dhe 13 fishekë, një pushkë ajrore dhe një fishek të armës së gjatë, si dhe 42 fishekë të pistoletës 9×19 mm, dhe një karikator të zbrazët.
Me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas Kodit Penal.
“Me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të pandehurve E.K., dhe B.K., policia ka arritur të sekuestrojë të holla në shumën totale prej 24.700€ (njëzet e katër mijë e shtatëqind euro), një (1) pistoletë“Pjetro Bereta Gardone” me 13 fishekë, një (1) automjet “Mercedes 2024” C, dyzet e dy (4)2 fishekë të pistoletës 9×19 mm, një (1) karikator i zbrazët, një (1) pushkë ajrore dhe një (1) fishekë të armës’, thuhet në njoftim.
Për të pandehurit e arrestuar, Prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.