Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj të pandehurit R.M., i cili me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2016 deri në vitin 2019, në bashkëkryerje me të pandehurit Z.G. dhe A.X., kanë ndihmuar të pandehurin A. Ç., në kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit” për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe pëlqimeve ujore në Parkun Kombëtar “Sharri” në vikend-zonën e Brezovicës, me këtë do të kryenin në bashkëkryerje veprën penale “Marrja e ryshfetit” në ndihmë nga neni 428 par. 2 lidhur me nenin 31 dhe 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).”, thuhet në njoftimin për media.
Po ashtu, ndaj të njëjtit, ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2016 deri në vitin 2019, në bashkëkryerje me të pandehurit Z.G., dhe A.X., kanë pranuar para me qëllim të ushtrimit të ndikimit të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, me këtë do të kryenin në bashkëkryerje veprën penale “Ushtrimi i ndikimit ” nga neni 431 par. 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së./