Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit E.M., për veprën penale “Zjarrvënia”sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 24 tetor 2024, në Ferizaj, i pandehuri E.M., me dashje ka shtyrë dy të mitur që të kryejnë veprën penale zjarrvënia, në atë mënyrë pasi që i njëjti ishte mllefosur me të dëmtuarin A.D., shtytë njërin nga të miturit që për çmimin prej 1000 Euro, të i vë zjarrin veturës së të dëmtuarit, kështu që rreth orës 03.26, në parkingun e qendrës tregtare “The Village”, njëri nga miturit me një çekan thyen dritaren e derës së veturës së të dëmtuarit të tipit “Fiat Abart”, e pastaj i mituri tjetër hedh benzinë në brendi të veturës dhe ia vë flaken, e cila dëmtohet tërësisht dhe vlera e dëmit të shkaktuar është rreth 19.000.00 euro , me të cilën do të kryente shtytje për të kryer veprën penale “Zjarrvënia” nga neni 322 paragrafi 1 lidhur me nenin 32 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I pandehuri që nga data 31 Tetor 2024, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur.