Kërkohet paraburgim për të dyshuarin që u arrestua pas dy muajsh për vrasjen e rëndë në tentativë në Pestovë

Prishtinë | 27 Maj 2022 | 16:08 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Faton Saraqi i cili dyshohet për plagosjen e një 46-vjeçari, në Pestovë të Vushtrrisë, më 23 mars.

Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësi i Prokurorisë, Valon Preteni.

Saraqi u arrestua mbrëmë, pas më shumë se dy muajsh në arrati.

Ai është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndërkohë që lidhur me rastin është sekuestruar një armë e llojit (pistoletë) dy gëzhoja dhe një predhë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të ngjashme