Kërkohet përkushtimi i OBSh-së për të parandaluar dhunën seksuale

Prishtinë | 02 Tet 2021 | 08:09 | Nga Ekonomia Online

Uashingtoni dhe Brukseli u janë bashkuar kryeqyteteve tjera perëndimore të premten, në thirrjen për “përkushtim të plotë” të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që të bëjë reforma, pas një raporti të detajuar që flet për dhunime dhe abuzime seksuale të grave nga punëtorët e saj, të dërguar për të luftuar Ebolën në Republikën Demokratike të Kongos.

“Qeveritë e Australisë, Kanadasë, Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare, Zelandës së Re, Norvegjisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, presin përkushtim të plotë nga OBSH-ja për të parandaluar dhe adresuar akte të tilla. Përfshirë reformat thelbësore në OBSH”, kanë thënë qeveritë përmes një deklarate të përbashkët.

Duke e quajtur “ditë të zezë për OBSH-në”, shefi i kësaj Organizate, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u ka kërkuar falje viktimave të enjten dhe ka thënë se në mesin e prioriteteve kyçe ka që, kryesit e këtyre veprave të mos arsyetohen, por të mbahen përgjegjës.

Të premten, qeveritë e vendeve anëtare kanë thënë se “do të sigurohen se përkushtimet e udhëheqësisë së OBSH-së çojnë në llogaridhënie, rritje të kapaciteteve, veprim dhe ndryshime të shpejta”, duke bërë thirrje për “të analizuar” se çfarë ka shkuar keq.

Një punëtor shëndetësor në Republikën Demokratike të Kongos. Fotografi nga arkivi.

Raporti është fokusuar në akuzat kundër personelit lokal dhe atij ndërkombëtar, të angazhuar në Republikën Demokratike të Kongos për të luftuar Ebolën në periudhën 2018-2020.

Raporti është përpiluar pasi më shumë se 50 gra lokale kanë raportuar abuzime seksuale.

Komisioni, i cili ka intervistuar dhjetëra gra, të cilat kanë thënë se u është ofruar punë në këmbim të marrëdhënieve seksuale, ka gjetur se 21 nga 83 kryesit e këtyre veprave kanë qenë të punësuar nga OBSH-ja.

Gratë lokale gjithashtu dyshohet se janë dehur me pije, “janë zënë në pritë” nëpër spitale, janë detyruar të kryejnë marrëdhënie seksuale dhe dy kanë mbetur shtatzënë.

Sipas raportit, “neglizhenca individuale mund të ketë shkaktuar sjellje të keqe profesionale”.

Të ngjashme