Organizata jo-qeveritare Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatar – PEN ka shënuar “Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut”, raporton Ekonomia Online.
Udhëheqësja e zyrës së UNDP-së në Kosovë, Visare Mujku- Nimani, tha se sot po e përmbyllin këtë projekt bashkë me PEN-in për parandalimin e dhunës gjinore.
“Kam kënaqësinë që sot po e shënojmë ditën ndërkombëtare bashkë me PEN-in dhe po përmbyllim projektet për parandalimin e dhunës gjinore e të tjera. Jam e gëzuar që jemi këtu sot, shpresojmë që ky nuk do të jetë eventi i fundit dhe do të vazhdojmë me kësi lloj projekte ku synojmë t’i shtyjmë stereotipet dhe me respektimin e të drejtave të njeriut, barazinë gjinore e të tjera”, tha ajo, raporton EO.
Koordinatorja për zhvillim e OKB-së, Ulrica Richardson, tha se në Kosovë dhuna ndaj grave dënohet me Kodin Penal të Kosovës dhe është krim i rëndë.
Ajo u shpreh se burrat duhet të jenë ata që duhet të luftojnë bashkë me gratë për barazi gjinore.
“Kjo që po shohim në këto aktivitete është që po shohim shumë gra, ne kemi folur shumë për gratë që përballen me diskriminim, për dhunën, apo ato që përballen me përdhunimin. Ky është një problem madhorë, diskriminimi ndaj grave është vepër e rëndë gjendet në Kodin Penal në Kosovë. Natyrisht që është bërë përparim i konsiderueshëm, por për këto 16 ditë kemi parë që nuk ka shumë burra që flasin për këtë, burrat janë pjesë e problemit dhe duhet të flasim për këto çështje me burrat. Ne do ta fitojmë këtë betejë, por duhet të kemi kampion burrat që thonë unë jam feminist dhe nuk ngacmohen nga miqtë”, tha ajo, raporton EO.
Drejtori ekzekutiv i PEN-IT, Bujar Fejzullahu tha se qysh nga fillimi i punës së organizatës, PEN-i është marrë me të drejtat e njeriut dhe me barazinë gjinore.
“PEN-i ka disa vite prej themelimit që merret me të drejtat e njeriut dhe me qasjen e barabartë, ne kemi punuar shumë me djem dhe burra të rinj për barazi gjinore”, tha ai, raporton EO.
Në këtë event u publikua edhe një film i metrazhit të shkurtër i titulluar “Gardhi- FENCE”.