Kërkohet që mësimi të shtyhet të paktën edhe dy javë

Prishtinë | 27 Gus 2020 | 19:03 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Prishtinës, Jeton Demi, thotë se autoritetet u vonuan në hartimin e planit të rihapjes së shkollave dhe si pasojë do të ketë vonesa edhe në implementimin e tyre.

Ai po thotë se për këtë arsye fatkeqësisht duhet shtyrë edhe mësimin për dy javë.

“Kushtet në shkolla për shkak të vonesës nuk janë të duhura dhe s’ofrojnë as kushtet minimale. Ne duhet të kemi një lloj peshore që të masim rrezikun. Zgjidhja është se duhet të shtyhet edhe për dy javë fatkeqësisht, por realiteti është i tillë”.

“Prindërit bashkë me fëmijët kanë nevojë të kthehen në shkollë dhe të delegojnë një pjesë të përgjegjësisë së mësimit te mësuesit. Udhëzimi është bërë vonë diku më 17 dhe nga kjo datë deri më 1 shtator kemi shumë pak ditë. Ai udhëzim parasheh një sërë nivelesh protokollesh për të përmbushur ata skenarë”.

Demi thotë se edhe pse teorikisht planifikimi për krijimin e hapësirave nëpër shkolla konform kushteve higjienike të kërkuara për këtë kohë pandemie janë mirë, por shumë vështirë të aplikueshme edhe për çështje financiare.

“Prindërit do të jenë në pozitë shumë më të palakmueshme sivjet sepse ky vit mësimor do të jetë shumë sfidues. Ne jemi të pakënaqur me përgatitjet dhe hapat e ndërmarrë për ta filluar këtë vit të ri shkollor. Në Prishtinë ka problem me numrin e madh të nxënësve dhe në këto kohë problemet e tilla dalin edhe më shumë në pah”.

“Planifikohet që të matet temperatura e nxënësve, dezinfektimi i klasave të bëhet dy herë në ditë. Është mirë që e kemi një dokument fillestar që mund të plotësohet, por është larg realitetit sepse do të ketë kosto të madhe të zbatimit, qoftë me sigurimin e dezinfektuesve, qoftë me sapunë në banjo dhe letra për tharje”, tha Demi në Klan Kosovë.

Ai kritikoi Ministrinë e Arsimit edhe për mësimin online, për të cilin tha se filloi keq dhe mbaroi në po këtë mënyrë. Për më tepër, Demi tha se ka indikacione që kjo formë e mësimit do të jetë edhe më keq se në fillim.

Sipas Demit, prindërit ishin të pakënaqur edhe me delegimin e përgjegjësive nga MASHT te komunat nëse duhet hapur shkollat ose jo, duke shtuar se këtë s’duhet ta pranojnë as komunat.

Të ngjashme