Organizata Sundimi i Demokracisë në Kosovës (SDK) ka organizuar një tryezë me temë “Kujdesi institucional për mirëmbajtjen e hapësirave përreth Liqenit Batllava dhe mundësia e zgjerimit të zonave gjelbëruese”, ku ndër tjerash u kërkua që të shqyrtohen mundësit që kjo zonë të shfrytëzohet edhe për turizëm duke vendos kritere të veçanta.
Aty u tha se Orllani dhe liqeni i Batllavës meritojnë të kenë një trajtim dinjitoz dhe të sigurohet një jetë më e mirë për banorët.
“Liqeni ‘Batllava’ përveç rëndësisë së furnizimit me ujë të pijshëm për një numër të madh të banorëve të Kosovës, karakterizohet edhe me bukuritë natyrore që e rrethojnë atë. Veçanërisht në fshatin Orllan është mjaftë zonë atraktive, që i plotëson parakushtet për turizëm”, thuhet në njoftimin për media, teksa shtohet po ashtu se shumë qytetarë vizitojnë këtë zonë e cila shihet si atraktive nga ana e tyre, por mungon kujdesi institucional për të krijuar mundësinë e turizmit në këtë zonë.
Sipas njoftimit për media, të gjithë akterët prezentë në tryezë u pajtuan se problem në ketë zonë vazhdon të mbetet mungesa e përkujdesjes institucionale për mirëmbajtje të përhershme të hapësirave përreth liqenit.
“Andaj si propozim i përmbledhur ishte që niveli lokal, gjegjësisht komuna e Podujevës, duke qenë e përkrahur edhe nga shoqëria civile, do duhej të bëjë presion pozitiv ndaj nivelit qendror që zonat përreth liqenit ‘Batllava’ të kenë kujdesin institucional në mirëmbajtjen e tyre dhe mundësinë e zhvillimit të turizmit”, thuhet në njoftim.