Kryetari i Komitetit Kombëtar të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara, Tom Perez, kërkoi rishikimin e votave në shtetin e Ajoas, pas një sërë problemesh të raportuara atje.
Thirrja erdhi pak orë para se të publikoheshin rezultatet përfundimtare, me tre ditë vonesë, për shkak të problemeve teknike dhe vonesave në raportim.
“Mjaft është mjaft”, tha Perez.
Votimet në Ajoa ndihmojnë në zgjedhjen e kandidatit demokrat, që do të garojë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA.
Pas numërimit të të gjitha votave, Partia Demokratike shpalli fitues kandidatin Pete Buttigieg.
Ai kryesoi me 0.1 për qind në numrin e delegatëve krahasuar me Bernie Sandersin, por ky i fundit siguroi më shumë përqindje të votës popullore.
Partia Demokratike ka fajësuar për vonesën e rezultateve një aplikacion të quajtur Shadow, i cili është përdorur për herë të parë për raportimin e votave.
Në Ajoa mbahen votimet e para në mesin e një vargu votimesh mbarëkombëtare, të cilat do të kulmojnë me zgjedhjen e kandidatit demokrat për president në Konventën e Partisë Demokratike, në muajin korrik.
Në garë për këtë nominim aktualisht janë 11 kandidatë.
Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të mbahen më 3 nëntor dhe nga Partia Republikane, presidenti aktual, Donald Trump, do të garojë edhe për një mandat.