Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës është folur për barazinë gjinore në Kosovë. Në një konferencë të organizuar, “Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime – SIT” me temën “Maskuliniteti toksik”, u tha se në bazë të një hulumtimi të bërë thuhet se shumica e qytetarëve në Kosovë refuzojnë hapur dhunën dhe stereotipet tradicionale gjinore, raporton Ekonomia Online.
Kadri Gashi nga Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime (SIT), shpjegoi se për cka do të jetë hulumtimi.
“Ky raport është realizuar me mbështetjen e Zyrës së Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsi në Kosovë (UNFPA) dhe Agjencisë së Kosovës për Barazi Gjinore (ABGJ), dhe sjell në qendër të vëmendjes perceptimet e katër brezave – Gjenerata Z, Gjenerata Y (Milenialët), Gjenerata X dhe ‘Bumerat’ – mbi barazinë gjinore, rolet dhe stereotipet gjinore, si dhe kuptimet mbi dhunën me bazë gjinore. Hulumtimi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt kuptimit më të thellë të ndryshimeve ndërmjet brezave dhe të mënyrës se si normat shoqërore evoluojnë me kalimin e kohës”, tha ai.

Shefja e Zyrës së UNFPA-së në Kosovë, Visare Mujko-Nimani, tregoi se në bazë të hulumtimit rezulton se 40 për qind e qytetarëve të anketuar e shohin burrin si “udhëheqës natyral të familjes”.
“Raporti i ri ndërgjeneracional i SIT, të cilin do ta lansojmë sot, na ofron një pasqyrë të fuqishme dhe njëherësh alarmuese. Ai na tregon se shumica e qytetarëve në Kosovë refuzojnë hapur dhunën dhe stereotipet tradicionale gjinore. Mbi 90% e të anketuarve e kundërshtojnë idenë se një grua duhet të durojë dhunën për hir të ruajtjes së familjes. Kjo është një shenjë inkurajuese që shoqëria jonë po ndryshon. Por, raporti gjithashtu na kujton se ende ekziston një pakicë e konsiderueshme që arsyeton ose minimizon dhunën. Rreth 24% e të anketuarve e shohin dhunën në familje si çështje private, ndërsa gati gjysma e tyre besojnë se viktima është po aq fajtore sa dhunuesi. Po ashtu, stereotipi i burrit si “udhëheqës natyral i familjes” ende mbështetet nga 40% e pjesëmarrësve. Këto qëndrime janë të rrezikshme sepse ushqejnë heshtjen, viktimizimin dhe pandëshkueshmërinë”, tha ajo.
Mujko-Nimani nënvizoi tri mesazhe kryesore në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Dhunës.
“Dhunës i thuhet gjithmonë JO. Qoftë fizike, psikologjike, ekonomike apo seksuale – nuk ka asnjë justifikim, asnjë “arsye kulturore” apo “familjare” që mund ta arsyetojë atë. Burrat dhe djemtë duhet të jenë pjesë e zgjidhjes. Barazia gjinore nuk mund të arrihet pa angazhimin e tyre si aleatë, si mbrojtës të drejtësisë dhe si shembuj për shoqërinë. Ndryshimi duhet të fillojë nga familja, shkolla dhe komuniteti. Duhet të sfidojmë stereotipet e trashëguara, të edukojmë gjeneratat e reja me vlerat e respektit dhe të krijojmë hapësira të sigurta ku çdo individ mund të jetojë me dinjitet“, theksoi ajo.
Drejtorja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, foli për bashkëpunimin me SIT, ndërsa theksoi se burrat në Kosovë nuk janë të vetëdijesuar sa duhet për rolin e tyre në parandalimin e dhunës.
“Bashkëpunimin me SIT e kemi filluar shumë herët, që nga themelimi i kësaj qendre, me qëllimin e vetëm sepse gjatë punës tonë 20-vjeçare kemi identifikuar se sa pak punë është bërë me djemtë dhe burrat në Kosovë, në mënyrë që ata të bëhen aleatë në parandalimin e dhunës dhe njëkohësisht të vetëdijesohen se çmimi i dhunës ndaj grave ka ndikim të madh në gjeneratat e reja”, tha ajo.

