I pamjaftueshëm po konsiderohet numri prej 100 asistentësh për fëmijët me nevoja të veçanta që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka paraparë t’i angazhojë gjatë vitit 2019 në shkolla.
Përfaqësues të shoqatave të personave me nevoja të veçanta thonë se në krahasim me numrin e nxënësve me nevoja të veçanta 100 asistentë është e pamundur t’i mbulojnë kërkesat, shkruan sot “Koha Ditore”. Për këtë po i kërkojnë MASHT-it që ta shtojë numrin e asistentëve, të cilët do t’u ndihmonin mësimdhënësve gjatë procesit mësimor në raport me këta fëmijë. Sipas të dhënave zyrtare të MASHT-it, këtë vit shkollor numri i fëmijëve me nevoja të veçanta në arsimin parauniversitar është 4.133.
Në Ministrinë e Arsimit kanë konfirmuar se i kanë siguruar mjetet për angazhimin e 100 asistentëve derisa janë zotuar se në 3 vjetët e ardhshëm parashohin punësimin edhe të asistentëve të tjerë. Asistentët e angazhuar këtë vit MASHT-i do t’i ndajë nëpër komuna varësisht prej nevojave.
Drejtori i Administratës në Shoqatën e të Verbërve të Kosovës, Mexhid Foniqi, thotë se duke e ditur numrin e madh të fëmijëve që kanë nevoja të veçanta, nuk mjafton të angazhohen vetëm 100 asistentë. Sipas tij, vetëm fëmijë të verbër që mësojnë në shkolla të rëndomta janë 40 e të cilët nuk kanë asistent. E gjithë barra për këtë u bie mësimdhënësve të cilët nuk janë të trajnuar për këto kategori.