Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e drejtorit rajonal të Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriq.
Siç thuhet në komunikatën e IPK-së, drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut dyshohet se ka kryer veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrja për rezistencë” të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Krahas hetimit penal do të shikohet edhe përgjegjësia administrative.
Gjuriqi të mërkurën doli në konferencë për media ku tha se pjesëtarët serbë të forcës policore nuk do të zbatojnë vendimin qeveritarë për ndalimin e veturave me targa “KM” dhe shpërndarjen e fletqortimeve.
Andaj, Inspektorati Policor thotë, se duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së, është rekomanduar suspendimi i të njëjtit.
Veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, thotë komunikata.