Me dënimin me gjobë dhe përjashtimin e avokatit Besnik Berisha nga mbrojtja e të akuzuarit Shaban Gogaj, nuk është pajtuar Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK).
Kjo pasi, në mbjedhjen e mbajtur më 12 korrik 2021, sipas kërkesës së avokatit Berisha, Këshilli Drejtues i OAK-së e ka konsideruar cënim të nderit dhe profesionit të avokatisë vendimin e Gjykatës së Pejës.
Në arsyetimin e vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykatësja Violeta Husaj-Rugova nuk kishte përfshirë në procesverbal të gjitha deklarimet e bëra në atë seancë.
“Këshilli Drejtues i OAK-së, pas leximit të dy vendimeve të datës 28 qershor 2021, të marra nga Gjykata Themelore në Pejë, për lëndën penale PKR.nr.43/19 dhe pranimit të procesverbaleve të kësaj çështje penale nga avokati Besnik Berisha të datës 11 dhjetor 2019, 7 maj 2021 dhe 28 qershor 2021, si dhe dëgjimit të sekuancave audio nga seancat e mbajtura në Gjykatën Themelore në Pejë, Këshilli Drejtues i OAK-së, vlerëson se të gjitha deklarimet që janë bërë në atë seancë, nuk janë të përfshira në procesverbal të seancës gjyqësore të datës 28 qershor 2021. Andaj, vihet në përfundim se kryetarja e trupit gjykues ka marrë aktvendime që dëmtojnë prestigjin dhe nderin e avokatisë, si dhe kufizojnë ndjeshëm ushtrimin e pavarur të profesionit”, thuhet në arsyetimin e Këshillit Drejtues të OAK-së.
Si rrjedhojë e kësaj, Këshilli Drejtues ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJ), të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit të Gjykatës së Pejës për dënimin dhe përjashtimin e avokatit Besnik Berisha.
Përveç kësaj, Këshilli ka kërkuar nga kryetari i Gjykatës së Pejës, Armend Berisha, që përveç vlerësimit të vendimeve, të bëjë edhe inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjykatësës Violeta Husaj-Rugova.
Ndërsa sipas Këshillit Drejtues, deri në përfundimin e hetimeve disiplinore ndaj avokatit Berisha nga prokurori disiplinor i OAK-së, nuk do të bëjë caktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare ndaj të pandehurit Shaban Gogaj, në rast të kërkesës nga Gjykata Themelore në Pejë.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, më 28 qershor 2021 ka raportuar se avokati Besnik Berisha ishte përjashtuar nga Gjykata e Pejës për të mbrojtur të pandehurin Shaban Gogaj, i cili akuzohet për vrasjen e tani të ndjerit, Agonis Tetaj.