Në kohën kur bota po përballet me sulme terroriste në të cilat po mbesin të vdekur e të lënduar, udhëheqësit botërorë janë duke e munduar të gjejnë plane se si ta luftojnë këtë dukuri që po kërcënon gjithë globin.
E për dallim prej liderëve botëror, në Kosovë nuk po përmendet nga asnjë parti se si të rritet siguria në vend dhe të krijohen plane që të parandalohet ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi që qojnë në terrorizëm.
Njohësit e rrethanave të sigurisë në vend kanë vlerësuar se një shtet që nuk është i sigurt, atëherë nuk është as kapitali i tij.
Eksperti i sigurisë, Naim Maloku ka thënë për portalin arbresh.info se të gjitha partitë politike duhet ta kenë në programin e tyre çështjen për zgjedhjen e sigurisë së vendit.
“Përveç ekonomisë që është për Kosovën tepër e rëndësishme, atëherë edhe siguria është. Pra për çdo shtet siguria është në rend të parë. Në qoftë se një shtet nuk është i sigurt atëherë nuk është as kapitali i tij.”
Sipas tij, çdo parti politike duhet ta ketë kapitullin e programit për siguri, si mendon ta zhvillojë ose avancojë infrastrukturën e sigurisë së Kosovës.
“Kur them infrastrukturën parashoh mekanizmat e sigurisë prej AKI-së, Policisë, Emergjencave. Pra çdo parti politike duhet ta ketë në programin e saj si mendon ta avancoj, ngritë, përmirësoj infrastrukturën e sigurisë në Kosovë si brenda ashtu edhe në bashkëpunim me partnerët tanë që janë strategjik që ne jemi aleat me ta”, ka thënë Maloku.
Edhe Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, njëherit edhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, duke folur për terrorizimin, ka deklaruar se radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm vije nga të rinjtë si rezultat i mungesës së perspektivës në të ardhmen për jetë më të mirë.
“Dhe kjo duhet të jetë në krye të agjendës të partive politike,” duke shtuar se shpresa në një të ardhme më të mirë dhe veçanërisht tek të rinjtë është esenciale.
Kurse sipas ekspertit të sigurisë, Avni Islami kjo çështje nuk është se duhet të jetë vetëm në programin e partive pasi që sipas tij është e obligueshme me Kushtetutë, dhe se nuk është e arsyeshme të bëhet fushatë në emër të parandalimit dhe luftimit të terrorizmit
“Mendoj që nuk është çështje ekskluzivisht e partive sepse kushdo që fiton dhe vije në pushtet e ka për obligim kushtetues që ta ruaj jetën e qytetarëve të vendit prej sulmeve të mundshme terroriste.”
Qeveria në largim e Isa Mustafës ka pasur strategjinë në parandalimin e veprimeve të terrorizimit por edhe risocializimin e njerëzve që kanë qenë pre e radikalizmit në rrugën drejt terrorizmit.
“Jo vetëm Qeveria por edhe organizatat e ndryshme, shoqëria civile të gjithë duhet të punojnë në atë drejtim për shkak që është interes nacional”, ka thënë ai.
Koalicionet dhe partitë politike janë duke zhvilluar fushatë intensive përmes tubimeve dhe platformave sociale.
Gjatë prezanitmit të deritanishëm të programit të tyre të gjithë kanë siguruar për vende të reja pune, mirëqenie më të mirë për qytetarët, dhe investime të mëdha, por asnjëherë pa zënë në gojë çështjen e kërcënimeve nga terrorizmi.