Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërqeli në seancën e jashtëzakonshme tha se opozita po tenton ta thjeshtojë me akuza, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se çmimet e naftës nuk përcaktohen në Prishtinë por në vendet e jashtme.
“Sot po diskutojmë një temë që prek drejtpërdrejt çdo familje në Kosovë: çmimin e naftës, koston e jetesës dhe stabilitetin ekonomik. Si zakonisht, opozita përpiqet ta thjeshtojë një çështje komplekse me një akuzë të vetme: që qeveria nuk po ndërhyn. Kjo është një qasje joserioze ndaj realitetit ekonomik global. Së pari, duhet ta kuptojmë kontekstin. Çmimet e naftës, të nderuar kolegë deputetë, nuk përcaktohen në Prishtinë, por në bursa ndërkombëtare. Pas pandemisë, dhe sidomos pas krizës energjetike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë dhe së fundmi lufta në Iran, çmimet e energjisë dhe naftës janë rritur në gjithë botën. Nga vendet e Bashkimit Evropian deri në rajon, qytetarët janë përballur me të njëjtin presion”, tha ai.
Gjithashtu deputeti përmendi punët e Qeverisë dhe tha se kryeministri nuk ka qëndruar duarkryq.
Në këtë situatë, Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Kryeministri Kurti nuk kanë qëndruar duarkryq. Përkundrazi, gjatë këtyre viteve kemi parë masa konkrete dhe të drejtpërdrejta: Subvencione për energjinë elektrike, Subvencione për të mbështetur sektorin privat dhe bizneset, Paketa të njëpasnjëshme për qytetarët në nevojë, Rritje të pagës minimale dhe të disa kategorive të pagave në sektorin publik, Shtesa për pensionistët, shtesa për fëmijët dhe për nënat lehone, Paga e 13-të, të cilën e kanë marrë gjatë kësaj jave.Mbështetje për bujqit: Ku mjetet e ngritura si tregues, vetëm në vitin 2025, bujqit janë përkrahur me mbi 7 milionë euro për naftë dhe për punën e tyre“, tha deputeti.
